“Dyshohet se ish-bashkëshorti i saj fshihet në Tiranë”, gazetari: Xhuana Nikolli edhe para dy javësh shkoi e dhunuar në spital

Nga A2 CNN
11 Mars 2026, 21:47 | Kronikë

Gazetari Igli Çelmeta, në emisionin "Off the Record" nga Andrea Danglli në A2 CNN, dha detaje të reja mbi ngjarjen tragjike, ku 25-vjeçarja Xhoana Nikolli u vetëvra pasi konsumoi fostoksinë në banesën e saj, pas dhunës sistematike të ushtruar nga ish-bashkëshorti i saj, 25-vjeçari Eraldo Fizi.

Dyshohet se Eraldo Fizi ushtronte dhunë psikologjike sistematike ndaj të resë dhe të hënën pasdite dyshohet që ai ka shkuar pranë banesës së vajzës në ish-Fushën e Aviacionit, ku ajo jetonte me qira me shoqen e saj. E ka takuar dhe dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të resë, e cila më pas është rikthyer në banesë ditën e djeshme rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe në paradite ka ndërmarrë aktin ekstrem duke konsumuar fostoksinë dhe duke lënë edhe një letër për familjen e saj”, tha gazetari.

Gazetari dha edhe detaje të tjera, duke thënë se ngjarjen e konstatoi shoqja e dhomës së 25-vjeçares. E reja u dërgua me ambulancë në spital, por fatkeqësisht dy orë më pas ndërroi jetë. Eraldo Fizi është në kërkim nga policia për veprat penale “shkaktim vetëvrasjeje” dhe “dhunë në familje”, dhe dyshohet se është ende në Shqipëri.

Sipas informacioneve që ka Policia e Shtetit, në bazë të të dhënave të sistemit TIMS rezulton se ai nuk është larguar nga territori shqiptar dhe dyshohet se fshihet në Tiranë.”

Gazetari tha gjithashtu se e ndjera kishte shkuar para dy javësh në spitalin e Lezhës me shenja dhune në sy, por për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike nga ish-bashkëshorti kishte deklaruar se syrin e kishte dëmtuar pasi ishte rrëzuar.

Edhe para dy javësh, e ndjera ka shkuar në spitalin e Lezhës. Burime nga spitali më bëjnë me dije se ajo ka shkuar me shenja dhune në sy dhe ka deklaruar se ishte rrëzuar. Nuk ka treguar të vërtetën, çka tregon se e ndjera ishte prej kohësh nën presion psikologjik dhe dhunë fizike nga ish-bashkëshorti i saj. Gjithashtu rezulton se nuk ka bërë asnjë denoncim as në Policinë e Lezhës dhe as në Policinë e Tiranës.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos