Tensionet e forta që shoqërojnë prej katër seancash gjykimin e të pandehurve të dosjes “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme, kulmuan deri në fyerje mes palëve në seancën e së enjtes. Procesi mbeti në vend numëro edhe në këtë seancë dhe shkak u bë refuzimi i gjykatës për t’i vendosur në dispozicion avokatëve procesverbalet e plota të disa deklarimeve të te penduarit të drejtësisë, Erion Alibej. Sipas gjykatës, faqet e fshira në procesverbalet që i janë dhënë avokatëve, i përkasin çështjeve të tjera hetimore. Vendimi ngjalli reagim të avokatit të të pandehurit Henrik Hoxha, i cili kërkoi përjashtimin e të tre anëtarëve të trupit gjykues, duke pretenduar njëanshmëri në gjykim. E njëjta kërkesë u shpreh edhe nga avokatët Aldo Shkëmbi dhe Elda Zotaj.
Avokati Shkëmbi i kërkoi gjykatës që njëlloj si i tërheq vëmendjen avokatëve për ruajtje të etikës në seancë, t’ia tërheqë edhe prokurorëve të SPAK në rastet kur flasin pa leje, apo ndërpresin avokatët.
Por teksa avokati Gentian Rumano tha se vendimi i gjykatës është historik, në dëm të të drejtave të të pandehurve, prokurori Behar Dibra i kërkoi gjykatës të ndërpritej fjala e avokatit dhe të urdhërohej nxjerrja jashtë e tij. Po, ironizoi avokati, më nxirrni, ndërsa vijoi se ky ishte momenti procedural kur duhet të artikulonte kërkesën për përjashtim. Por prokurori vijoi “A mund ta ndërprisni, sepse nuk do të dëgjojmë idiotësirat e këtij idioti”. Në këtë moment gjykata ndërhyri për të ulur gjakrat.
Avokati Rumano, pasi kujtoi se sapo ishte konsumuar një vepër penale, braktisi sallën e gjyqit. Mbetja pa mbrojtje e klientit të tij detyroi gjykatën të shtyjë seancën, duke regjistruar kështu të katërtën herë radhazi, që nuk mundet të dëgjojë dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Skerdi Tasi. (A2 Televizion)