Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimmarrjen e 13 gushtit, përmes të cilit i rrëzoi kërkesën për lirim nga burgu ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Në vendim arsyetohet se nuk ka ndryshuar asnjë kusht ligjor që mund të çonte në zbutje të masës së sigurisë “arrest në burg” për të pandehurin Meta, i cili qëndron në paraburgim prej tetorit 2024.
Sipas gjykatës, prej 26 majit pozita penale e Metës është rënduar, pasi ai ka marrë cilësinë e të pandehurit dhe është njohur zyrtarisht me akuzat e ngritur ndaj tij. Në vijim, gjykata arsyeton se ekziston mundësia që Ilir Meta në gjendje të lirë mund të ndikojë tek dëshmitarët, referuar faktit se disa prej tyre bëjnë pjesë në subjektin politik ku ai është president dhe se mund t’i influencojë për dëshmi në favor të tij.
“Gjykata vlerëson se ekziston përsëri rreziku që shtetasi Ilir Metaj për shkak të funksionit që ka aktualisht apo funksioneve që ka pasur në të kaluarën, mund të ushtrojë influencën e tij për të ndikuar në procesin e marrjes dhe vërtetësisë së provave të tjera, të ndryshme nga ato dokumentare, sikurse janë pyetja e personave që kanë dijeni për faktet objekt hetimi, duke qenë se ai po hetohet për disa vepra penale. Në këtë mënyrë, pushteti dhe lidhjet që i pandehuri ka krijuar për shkak të funksioneve që ai ka aktualisht apo ka pasur apo pozitës së tij në shoqëri krijon mundësi praktike të paligjshme për të ndikuar tek dëshmitarët dhe gjithashtu edhe tek subjekte të tjerë me qëllim ‘helmimin e provës’, për të lehtësuar pozitën e tij në raport me procedimin.”
Nga arsyetimi i GJKKO Prej fundit të majit Ilir Meta është marrë i pandehur nga SPAK për “korrupsion” në tre raste, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së pasurisë”, në të njëjtën dosje ku është e pandehur edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. (A2 Televizion)