Hakmarrje ndaj Aldo Bares. Për 14 krime, GJKKO kalon për gjykim Laert Haxhiun

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2025, 17:27 | Kronikë

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të kaluar në gjykim dosjen ndaj Laert Haxhiut, i njohur si nga armiqtë e përbetuar të Aldo Bares, ish-drejtuesit të Bandës së Lushnjës.

Haxhiu akuzohet si drejtues i një grupi kriminal të përfshirë në 14 ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në disa qytete të vendit në harkun kohor 2021-2023, mes të cilave, vrasje me paramendim, shkatërrim prone me eksploziv dhe vjedhje me armë.

Mes pronave të dëmtuara me eksploziv është edhe një lokal në pronësi të Rigels Rajkut në Durrës, rreperit të njohur me emrin Noizy, shkruan A2.

Bashkë me Haxhiun, në bankën e të akuzuarve do të ulen edhe të pandehurit Kristi Bixheku dhe Artan (Marjus) Tafani, i penduar i drejtësisë në këtë çështje. Për të njëjtat episode penale akuzohen nga SPAK edhe 7 persona të tjerë, që janë duke u gjykuar të veçuar në Gjykatën e Posaçme.

Në role të veçanta, ata dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e Fridman Xhaferrajt në vitin 2021 në Korçë, Elton Çajupit në Tepelenë dhe Alban Semakut e Albi Bashaliut në Peqin.

Sipas SPAK, grupi i organizuar dhe drejtuar nga Laert Haxhiu nisi kryerjen e akteve kriminale në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kushëririt të tij Klodian Haxhiu dhe pas arrestimit të dy miqve të tij Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, aktualisht të dënuar përjetë për ngjarjen e njohur si “masakra e Lushnjës” në vitin 2017 ku u vranë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos