Prokuroria Tiranë sekuestron 18 pasuri të paluajtshme, llogari bankare e automjete luksoze të shtetasit Kristian Koni, i cili rezulton i arrestuar për trafik droge në Itali, raporton A2 CNN. Disa prej pasurive figurojnë në emër të nënës së tij pensioniste.
“Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.10, të datës 31.07.2025, rezultoi se ky shtetas dhe nëna e tij në pension, kanë veprimtari me origjinë kriminale që lidhet me shtetasin K.K. dhe historikun e tij të mëparshëm kriminal. Ai rezulton i përfshirë në një rrjet të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në Itali gjatë periudhës 2007–2012. Po ashtu, u dokumentua përdorimi i disa identiteteve të ndryshme, si dhe transaksione financiare të pajustifikuara në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara të personave përkatës”, tha Prokuroria e Tiranës.
Në total janë vendosur masa sekuestroje preventive mbi 18 pasuri të paluajtshme, dy automjete luksoze të llojit Range Rover dhe Smart, të regjistruara me targa karakteristike, si dhe llogaritë bankare të personave fizikë dhe juridikë të përfshirë në këtë hetim. Pasuritë përfshijnë prona në zonat e Tiranës, Bathores, Farkës, Marikajt etj.
Sekuestrot janë vendosur me qëllim parandalimin e tjetërsimit ose përdorimit të këtyre pasurive për qëllime kriminale dhe garantimin e ekzekutimit të vendimeve të mundshme gjyqësore mbi konfiskimin e tyre. (A2 Televizion)