Policia e Tiranës ka zbatur urdhrin e gjykatës për të vendosur nën sekuestro pasurinë e një 45-vjeçari, i cili rezulton i dënuar për vepra të rënda penale.
Sipas Bluve të kryeqytetit në kuadër të operacionit “Fortesa” janë sekuestruar pasuri me vlerë 26 milionë e 500 mijë euro, përkatësisht disa vila në bregdet dhe në Tiranë, llogari të shumta bankare dhe automjete.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e pasurive në pronësi të shtetasit K. K., alias O. M., 45 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Pasuritë e sekuestruara janë konkretisht: 19 prona, 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të 45-vjeçarit ose të familjarëve të tij, me vlerë tregu rreth 26 milionë e 500 mijë euro”, informon policia.
Sakaq, bëhet me dije se vijon ende puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi. (A2 Televizion)