Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me një operacion të zhvilluar nën drjetimin e SPAK, ku një punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Tiranë u arrestua, dy persona të tjerë u proceduan, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim, shkruan A2 CNN.
Sipas policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi Gerald Fuçia., 33 vjeç, punonjës i IMT, bashkia Tiranë; nisi procedimi penal për shtetasit Edmond Çela., 48 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i IMT, bashkia Tiranë; A. E., 26 vjeç, banues në Tiranë, menaxher i një lokali në Tiranë; u shpall në kërkim shtetasi Klajdi Zhilla, 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë.
“Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve”, tha policia.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë. Policia tha se punohet për kapjen e shtetasit K. Zh. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)