Policia nis hetim, ja cilat janë 3 platformat online që po zhvasin shqiptarët

Nga A2 CNN
28 Gusht 2025, 14:16 | Kronikë

Policia nis hetim, ja cilat janë 3 platformat online që po zhvasin

Policia ka nisur zyrtarisht një hetim në lidhje me skemat mashtruese online, të cilat dyshohet se i kanë zhvatur qytetarëve shqiptarë rreth 5 milionë euro, përmes premtimit për fitime të majme duke investuar në blerje kriptovalutash.

“Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, bazuar në informacionet e siguruara, ka nisur një hetim penal lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online, dhe po vijon punën intensive për dokumentimin ligjor. Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin aplikimet ose përfshirjen në platforma të tilla, të cilat premtojnë fitime të menjëhershme dhe të paverifikuara”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se pas denoncimit të deputetit socialist Erion Braçe, i cili ngriti ditën e djeshme alarmin se platforma TXEX po grabit qytetarët dhe bëri apel për shmangien e investimeve, reagoi edhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Sakaq, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike bën me dije se përveç TXEX janë dhe 2 platforma të tjera të ngjashme XUEXA dhe Grokrexduu, të cilat po joshin shqiptarët për të investuar, por që rezultojnë të jenë “firma piramidale në internet”.

AKSK ka marrë masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të këtyre faqeve mashtruese në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet përgjegjëse AKEP dhe ofruesit e shërbimeve të internetit. Gjithashtu rasti në fjalë është raportuar dhe në Policinë e Shtetit. Platformat janë: XUEXA (https://xuexa[.]com/pc/#/), TXEX dhe Grokrexddu (https://grokrcoiod8[.]com/pc/#/home)”, thuhet në reagimin e AKSK. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos