Inskenoi rrëmbimin e tij për t’i marrë para babait, zbulohet plani i 28-vjeçarit në Kavajë

Nga A2 CNN
13 Korrik 2025, 12:01 | Kronikë

Inskenoi rrëmbimin e tij për t’i marrë para babait,

Plani i mirëorganizuar për t’i marrë një shumë parash babait të tij, përmes inskenimit të një rrëmbimi, nuk i ka rezultuar efikas një 28-vjeçari në Kavajë.

Lubjan Camema u vu në pranga nga policia nën akuzë për “Mashtrim”, pas tentativës për të përfituar para nga babai duke inskenuar rrëmbimin e vet në bashkëpunim me Bernard Kiptiun.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasit L. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, dhe B. K., 45 vjeç, banues në Durrës. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi L. C. kishte mashtruar babain e tij, shtetasin B. C., duke i thënë se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë eurosh. Shtetasi B. K. u kap në flagrancë në lagjen nr. 16 të qytetit të Durrësit, duke i kërkuar shtetasit B. C. shumën e parave, me pretendimin se do të shërbenin për lirimin e djalit të tij. Rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, shërbimet e Policisë gjetën edhe 28-vjeçarin, i cili u arrestua në flagrancë, pasi rezultoi se kishte inskenuar ngjarjen dhe dy ditë më parë i kishte marrë automjetin babait të tij, dhe dyshohet se e ka shitur”, sqaron policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos