Një fotografi e publikuar në rrjetet sociale tregon Arjan Telhallarin me kallashnikov në dorë, duke ecur në zonën e “Ali Demit” pranë zyrës elektorale të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit, shkruan A2 CNN.
I shpallur në kërkim nga policia, Telhallari mësohet se kishte dalë në kërkim të një personi i cili ishte përfshirë në një sherr me djalin e tij mesditën e djeshme.
Pas sherrit, i riu ka shkuar në shtëpi dhe bashkë me të atin, Arjan Telhallari, kanë shkuar tek lokali në zonë për të gjetur djalin tjetër me të cilin ishte zënë, por nuk e kanë gjetur aty.
Pasi kanë kontrolluar zonën, kanë parë që ai ndodhej tek zyra e PSD e më pas kanë hyrë aty dhe janë konfliktuar.
Sipas Policisë, automatiku i Telhallarit ka qenë i mbushur, madje atij i kanë rënë fishekët në tokë gjatë sherrit, por arma nuk rezulton që është përdorur. (A2 Televizion)