"Shkoi për të blerë drogë", policia zbardh dinamikën e vrasjes në Durrës

Nga A2 CNN
25 Shtator 2025, 13:01 | Kronikë

"Shkoi për të blerë drogë", policia zbardh

Policia e Durrësit ka zbardhur plotësisht vrasjen me thikë të 51-vjeçarit Valbon Beqiraj, që ndodhi mbrëmjen e djeshme në një pallat në lagjen 12 të qytetit bregdetar.

Uniformat blu sqarojnë se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një debati në tentativë për të blerë lëndë narkotike nga autori i dyshuar Teilor Tivari, i cili është vënë në pranga.

“Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në katin e katërt të një pallati ishte gjetur pa shenja jete, me shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjete të mprehta prerëse, shtetasi M. B., alias V. B., 51 vjeç. Nga veprimet intensive hetimore të kryera, rezultoi se vrasja e këtij shtetasi ka ndodhur rreth orës 10:00 të datës 24.09.2025.  Po nga veprimet, rezultoi se në banesën e 51-vjeçarit kishte hyrë shtetasi T. T., 24 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës, me qëllim blerjen e lëndës narkotike. Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, shtetasi T. T. e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme”, sqaron policia.

Po ashtu policia ka arrestuar një 27-vjeçar, i cili me taksinë e tij ka transportuar nga vendi i ngjarjes drejt banesës 24-vjeçarin që kreu vrasjen.

“Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij. Nga tërësia e veprimeve hetimore janë siguruar prova ligjore që vërtetojnë autorësinë e të dyshuarve në kryerjen e kësaj vepre penale”, informon më tej policia.

Sakaq, në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos