Gjykata e Posaçme i refuzoi për të dytën herë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kërkesën për t’i vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe për ta nxjerrë nga kafazi i xhamtë i sallës së gjyqit.
Kryebashkiaku pretendoi se nuk është njohur me aktet e dosjes të dhëna me USB, pasi nuk ka pajisje elektronike në qeli dhe se mbajtja në kafaz është trajtim degradues dhe poshtërues, pretendime që nuk ndryshuan qëndrimin e gjykatës, shkruan A2.
Refuzimi i radhës ngjalli një lëvizje të beftë të kryebashkiakut, i pranishëm në sallë, që zhveshi nga tagrat e përfaqësimit avokatin e tij. Në kushtet kur nuk më vendosen në dispozicion aktet e dosjes hetimore, mësohet të jetë shprehur Veliaj, avokati im nuk është në kushtet kur mund të realizojë mbrojtjen time.
Në vijim, kryebashkiaku ka pretenduar se do të mbrohet vetë dhe ka shfuqizuar nga mbrojtja avokatin Artan Gjermeni, që nga ana e tij ka kërkuar të lerë sallën, por nuk është lejuar nga gjykata deri në përfundim të seancës.
Për t’i garantuar mbrojtje ligjore, gjyqtarja Etleva Deda i caktoi mbrojtësen kryesisht Valentina Teodoresku kryebashkiakut. Avokatja mori përsipër rastin, por ka kërkuar kohë të mjaftueshme për t’u njohur me 60 mijë faqet e dosjes si edhe mundësinë e takimit me klientin e saj.
Gjatë seancës, në debatin mes Veliajt dhe prokurorit Olsi Dado për aktet e dosjes, Veliaj ka sjellë në vemendje të gjykatës se në 4 dhjetor Gjykata e Posaçme ka pranuar një kërkesë të njëllojtë të ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, duke urdhëruar SPAK t’i verë në dispozicion dosjen.
Seanca e radhës e shqyrtimit paraprak ndaj Veliajt dhe 29 të bashkëpandehurve do të mbahet më 5 janar. (A2 Televizion)