Policia zbardh vrasjen e 67-vjeçarit në Shkodër: Ekzekutimi nga vrasës me pagesë, 4 në pranga

Nga A2 CNN
2 Janar 2026, 12:25 | Kronikë

Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen me lëndë eksplozive të 67- vjeçarit Hysni Ymeri në Shkodër, të ndodhur më 29 dhjetor 2025, në lagjen “Manush Alimani”. Në operacionin policor të koduar “SHADOWS”, janë arrestuar katër shtetas të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Në pranga kanë rënë shtetasit Gerti Bushati (27 vjeç), Ergys Ibrahimi (27 vjeç), Edison Hasaj (25 vjeç) dhe Gjergji Zefi (24 vjeç).

Policia zbardh vrasjen e 67-vjeçarit në Shkodër: Ekzekutimi nga

Sipas hetimeve të policisë, dyshohet se ata kanë vepruar në bashkëpunim dhe kundrejt pagesës, duke përdorur lëndë eksplozive të komanduar në distancë, e cila është vendosur në panelin elektrik të pallatit ku banonte viktima.

Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë “Shqiponja”, Komisariatit të Policisë Shkodër dhe DVP Shkodër.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan 28 celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, municion luftarak, sasi parash në lekë dhe euro, lëndë narkotike, pajisje GPS, kamera sigurie dhe një laptop.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të implikuar dhe zbardhjen e plotë të motiveve të krimit.

Policia zbardh vrasjen e 67-vjeçarit në Shkodër: Ekzekutimi nga

Njoftimi i Policisë Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “SHADOWS”.

Zbardhet vrasja me lëndë eksplozive e shtetasit H. Y., e kryer më datë 29.12.2025, në lagjen “Manush Alimani”.

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.

Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP Shkodër.

Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit H. Y., bazuar në provat e siguruara, u finalizua operacioni policor i koduar “SHADOWS”.

Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

-G. B., 27 vjeç
-E. I., 27 vjeç
-E. H., 25 vjeç
-Gj. Z., 24 vjeç

Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y.

Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.

Vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim;
dhe “Prishja e qetësisë publike”.

  (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos