Detaje të reja janë mësuar nga burime për A2 CNN për ngjarjen e rëndë të ndodhur të enjten pas mesdite jashtë gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ku dy 16-vjeçarë mbetën të plagosur me thikë dhe një tjetër mori dëmtime nga grushtet.
Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se gjendja e njërit prej të miturve të plagosur mbetet e rëndë, por me parametra jetësorë stabël. Ndërsa adoleshenti tjetër ka lënë spitalin.
Në dëshmitë paraprake para hetuesve, dy autorët e arrestuar kanë treguar se konflikti kishte nisur një ditë më parë, për arsye banale. “Pse më sheh shtrembër dhe pse bën si i fortë”, ka qenë shkaku i grindjes që më pas çoi në përplasjen me thika, shkruan A2 CNN.
Gazetari Igli Çelmeta tha se ngjarja nisi me grushte mes dy grupeve nxënësish, por më pas situata doli jashtë kontrollit. Policia identifikoi të miturit e përfshirë përmes kamerave të sigurisë dhe dëshmive të okularëve, duke arrestuar autorin kryesor të plagosjes, gjithashtu të mitur, si dhe shokun e tij që e ndihmoi në konflikt. (A2 Televizion)