Ekstradohet nga Dubai reperi Cllevio

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 09:04 | Kronikë


Policia ka njoftuar se është finalizuar ekstradimi i reperit Kleviol Ahmeti, të njohur si Cllevio, nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

39-vjeçari rezulton i kërkuar nga autoritetet në Tiranë dhe në Fier, për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë, akuza që lidhen me konfliktin mes tij dhe reperit Rigels Rajku (Noizy).

“Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qendruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit “The Ëanted”, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë. Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij”, sqaron policia.

Gjithashtu, 39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos