“Të kemi marrë burrin peng! Duam 2 milionë lekë”, policia vë në pranga 5 persona në Tiranë pas transfertës së parave

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 10:51 | Kronikë

“Të kemi marrë burrin peng! Duam 2 milionë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Tiranë. Pesë persona kanë marrë peng një 68-vjeçar dhe kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilës i kanë kërkuar 2 milionë lekë për ta lënë të lirë.

E tmerruar nga telefonata, gruaja, sipas policisë, ka dorëzuar në zonën e Saukut rreth 1 milion e 700 mijë lekë, ndërsa policia ka nisur menjëherë hetimet. Mësohet se për këtë rast janë vënë në pranga 5 persona të identifikuar si Sulejman Sina, Klinton Sina, Idajet Mashollari, Bajram Ibraliu, Nikoleta Begolli.

“Morën me forcë dhe mbajtën peng në një zonë periferike, një 68-vjeçar, si dhe kërcënuan bashkëshorten e tij, për t’i marrë 2 000 000 lekë. Kapen pas disa orësh, 5 shtetas që bashkëpunuan për kryerjen e këtij krimi.

Sekuestrohen 1 746 000 lekë nga shuma që bashkëshortja iu dha këtyre shtetasve.

Menjëherë pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se më datë 29.04.2025, disa shtetas kishin marrë me forcë një shtetas, të cilin e kishin mbajtur peng dhe në këmbim të lirisë së tij i kishin marrë një shumë të madhe parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imediat”, u arrestuan 5 shtetasit e dyshuar të implikuar në këtë rast, konkretisht: shtetasit S. S., 31 vjeç, K. S., 21 vjeç (vëllezër), I. M., 21 vjeç, B. I., 57 vjeç dhe N. B., 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë.

Nga hetimet, pamjet filmike dhe provat e siguruara ka rezultuar se shtetasit S. S., K. S. dhe I. M., në rrugën “George Ë. Bush”, kanë marrë me forcë në një automjet dhe kanë mbajtur peng, në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë, shtetasin E. A., 68 vjeç. Dhe më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit, duke i kërkuar shumën prej 2 000 000 lekësh. Kjo shumë i është dorëzuar shtetasit B. I., në zonën e Saukut.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë kryer kontrolle në banesat e këtyre shtetasve si dhe në një automjet me të cilin lëviznin shtetasi S. S. dhe shtetasja N. B., ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes, nga bashkëshortja e shtetasit E. A.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos