"Verifikime komplekse", GJKKO zgjat afatin e paraburgimit për Laert Haxhiun

Nga Armand Bajrami
9 Korrik 2025, 17:48 | Kronikë

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për të zgjatur me tre muaj afatin e paraburgimit ndaj Laert Haxhiut, i dyshuar si kreu i një grupi kriminal të akuzuar për 13 ngjarje të rënda kriminale, mes të cilave vrasje, shkatërrim prone me eksploziv dhe grabitje me dhunë.

Zgjatja e masës “arrest në burg” ndaj tij, ndërkohë që të akuzuarit si pjesë e grupit kriminal janë në fazë gjykimi në Gjykatën e Posaçme, u kërkua nga SPAK për shkak të nevojës për disa verifikime komplekse. Sipas vendimit të gjyqtarit të posaçëm Erion Bani, paraburgimi ndaj është zgjatur deri më 3 tetor 2025. Në të njëjtin vendim Gjykata e Posaçme zgjati afatin e paraburgimit edhe për Fierdeus Berberin, i njëjti që u arrestua bashkë me Haxhiun në Greqi në maj të vitit 2023, duke e çuar afatin fundor deri në muajin nëntor.

Fillimisht masat e sigurisë “arrest në burg” ndaj tyre janë caktuar nga gjykata e Elbasanit, e më pas të verifikuara nga Gjykata e Posaçme.

Edhe pse SPKA ka marrë masat për të mos e rrezikuar shuarje dhe ndryshim të masës për Haxhiun, aktualisht ai po vuan një dënim me burgim përjetshëm të dhënë nga Apeli i Posaçmë, si autor në ngjarjen e njohur si “masakra e Lushnjës” në vitin 2017. Sipas Apelit, në atentatin e planifikuar dhe vënë në zbatim për të vrarë Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, mbetën të vrarë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën dy të tjerë. Për të njëjtën ngjarje vuajnë dënime me burgim përjetë edhe Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.

Disa ditë më parë, Laert Haxhiut, por edhe dy anëtarëve të dyshuar të grupit të tij kriminal, ju gjetën dhe sekuestruan telefona celularë, që i mbanin në qelitë e burgut të Drenovës, çka u bë shkak edhe për largimin nga detyra të drejtorit të institucionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos