Sali Berisha nuk ngurroi të sulmonte partitë e reja që garojnë në zgjedhjet e 11 majit, duke thënë se nuk e kanë idenë se çfarë është shteti dhe se janë vegla të kryeministrit Rama.
"Ata që bëjnë barazi mes meje dhe Ramës janë vegla të mjera të Ramës. Ata nuk mund të pranojnë që qytetarët të presin 14 vite për një proces. Ata nuk pranojnë, nuk kanë ide se çfarë është shteti, ç’janë të drejtat, e kështu me radhë”, tha Berisha në Debat nga Alba Alishani, në A2 CNN.
“Sot janë 4 rezoluta të të gjitha partive të qendrës së djathtë të planetit, që denoncojnë drejtësinë shqiptare si drejtësi politike. Nuk jam unë më. Nëse një i ri pranon padrejtësi politike ai pranon diktaturën”.
Partitë e reja në këto zgjedhje i sulmoi edhe kryeministri Rama, duke i quajtur “version laik i të ndjerës LSI”, nga studio e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
“Po të shikoni që skuadra jonë është shumë më e re se të tjerat, përfshi edhe ata që kanë të re vetëm moshën dhe thonë “Jemi e reja që po vjen” dhe është njëkohësisht skuadra më e vjetër, për shkak se ka ndërhyrje mes energjisë së re dhe eksperiencës. Ata nuk kanë as ide të reja, as programe të ndryshme nga programet e çdo lloj force spekulante që s’ka gjë në dorë që premton gjithçka përveç nënës dhe babës dhe nuk ka, mbi të gjitha, asnjë kapacitet qeverisës”, tha Rama.
“Kam mundur të shoh disa nga gjërat kryesore dhe kam parë edhe qasjen destruktive, agresive dhe gjuhën skandaloze dhe kam parë se si, për shembull, ndërkohë që Shqipëria duhet të mbyllë negociatat me BE në vitin 2027, ata thonë që po na erdhi ne në dorë kjo punë, do të shkojmë zgjedhje të parakohshme. Domethënë janë thjesht një version laik i të ndjerës LSI”. (A2 Televizion)