Sali Berisha tha se rasti i gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, që sipas tij rezulton e dënuar në Greqi, nuk është i vetmi në këtë institucion.
“Ajo ishte gjykatëse, ka shkruar se nuk është dënuar kurrë dhe nuk është dëbuar kurrë nga një vend. Nuk ka parashkrim gënjeshtra. Me atë dënim nuk mund të ishte gjykatëse, automatikisht dilte nga sistemi i drejtësisë. Ajo u mor peng me atë dënim dhe bën këtë që bën. Në hierarki ajo ishte më e rëndësishme sesa kreu i prokurorisë (Altin Dumani), ajo ishte kreu i Gjykatës Speciale. Nuk është vetëm ajo, janë me dhjetëra të tjerë. Ata do të dalin nga sistemi. Dhe do të bëhen përgjegjës para ligjit. Ky është vetëm fillimi i nxjerrjes së fshehjeve. Këta nuk kanë nevojë për veting të dytë, u nxirren dokumentet dhe shkojnë përpara ligjit”, tha Berisha në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN.
Të hënën, pas daljes nga SPAK-u, ku kishte shkuar në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” që është vendosur ndaj tij për dosjen “Partizani”, kreu i Partisë Demokratike publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që, sipas tij, tregon se gjyqtarja Irena Gjoka është e dënuar me burg për falsifikim:
“Edi Rama kërkon të shndërrojë Kushtetutën në "Duman Kushtetutë”. Njeriu që kryeson gjykatën speciale të shqiptarëve ishte një delinkuente e pafytyrë, e pamoral, e pakarakter, e dënuar me burg në vendet fqinj. Ajo përdorej si skllave nga Edi Rama dhe regjimi aktual. Kjo monstër, në vend që të vuajë dënimet, është lartësuar në kryetaren e Gjykatës Speciale nga Edi Rama, Taulant Balla dhe është keqpërdorur nga Altin Dumani. Nga viti 2005, kur u dënua, dënim që e ka fshehur, bën të pavlefshëm çdo vendim të saj, në përputhje me vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Dokumenti nga Gjykata e Janinës në Greqi tregon që ajo është dënuar me 3 muaj burg dhe gjobë 1500 euro”, deklaroi Berisha të hënën. (A2 Televizion)