Lisandër Hoxha, anëtar i Këshillit të Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se grupet brenda partisë, nëse duan të marrin pushtetin, duhet të heqin dorë nga komoditeti i vet.
“Ne duhet të bëhemi gati që të jemi në lartësinë e këtij momenti për të marrë pushtetin. Partia Demokratike ka nevojë për një paqe të madhe, ka nevojë që të gjitha ato grupet, se janë disa grupe, të mendojnë për të marrë pushtetin. Nëse nuk mendojnë për të marrë pushtetin, por mendojnë për komoditetin e vet, PD-ja shkon drejt zvogëlimit fatal. Në çdo parti ka njerëz që grupohen brenda partisë. Edhe këto partiçkat e vogla kanë grupe, është normale kjo gjë”, u shpreh Lisandër Hoxha.
“Këto do duhet të binden që duhet një ekip i ri, që duhet një vullnet dhe një punë e madhe, duhet një kontratë e re politike me shqiptarët dhe duhet paqja mes demokratëve që të shkojmë aty ku duhet sot niveli i Partisë Demokratike për të marrë pushtetin. Por, fillon nga integriteti kjo punë”, shtoi Lisandër Hoxha.
Por, sipas gazetarit Poli Hoxha, këto në fakt nuk janë aspak grupe.
“Këto grupet, për mendimin tim, s'janë grupe fare. Sepse grupi është një lëvizje brenda partisë e cila kërkon një qasje komplet ndryshe nga lidershipi. Çfarë janë këto grupet? Këto grupe dalin herë pas here kur i i lëkunden pozitat kryetarit. Për shembull, pas zgjedhjeve të 11 majit filloi një fushatë për kërkesë analize, zbatim të Nenit Basha dhe filluan. Po ta vije re, kjo ishte në fazën kur po ndaheshin pozicionet në parti. Domethënë kishte një kërshëri, kishte dhe një debat në media kush do bëhet nënkryetar Kuvendi, kush do bëhet kryetar grupi, kush do bëhet nënkryetar partie... Po çfarë janë këto grupe? Këto janë grupe që luftojnë për kush të jetë në rrethin e parë apo edhe në rrethin e dytë të Sali Berishës”, deklaroi Poli Hoxha. (A2 Televizion)
