"Ne jemi mësuar me fletërrufetë popullore", Krasniqi: Drejtësinë nuk e jep SPAK, por GJKKO

Nga A2 CNN
14 Tetor 2025, 22:26 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se “nuk është SPAK ai që jep drejtësi, por është gjykata që jep drejtësi”.

“Nuk dua ta lidh SPAK-un me individin që e drejton. Unë besoj që individi që drejton është njeri me integritet, por unë do jem i qetë ditën kur çdonjëri prej prokurorëve të SPAK-ut do ketë të njëjtin standart ligjor dhe nuk ka rëndësi kush është kryetar. Fakti që në zgjedhjen e kaluar Ambasada Amerikane u detyrua të shkojë në sallë, që ishte absurde për një vend normal, zonja Kim shkoi disa herë, por dhe qëndroi në sallë dhe me një votë u zgjodh, do të thotë që nuk e kanë të gjithë njëlloj dhe mund të fitonte dikush tjetër që të kishte qasje tjetër. Fakti që kësaj radhe përsëri ka deklarata nga ndërkombëtarët dhe ka dyshime për procesin e zgjedhjes do të thotë që ka diçka që nuk shkon dhe aftësia jonë shqiptare për të gjetur krahina, lidhje personale, fisnore, lobuese etj. duhet të marrë fund një ditë dhe duhet të krijojmë një standard. Standardi është që votohet, drejtohet tre vjet, vazhdon pastaj punën sepse nuk është drejtuesi. Nuk ka rol të madh drejtuesi i prokurorisë në raport me prokurorët, nuk i urdhëron dot, por çështja është që kur të bie shorti, të kesh besim që secili prej tyre do japë të njëjtin standard”, tha Krasniqi.

“Unë personalisht kam pasur dy kritika për SPAK-un. Së pari, nuk duhet të krijonin kaq shumë pritshmëri publike sepse jetojnë në Shqipëri dhe i dinin se si funksionojnë, e dinin si është Policia e Shtetit, e dinin si janë strukturat e tjera. Dhe së dyti, unë mendoj që një ditë Shqipëria duhet të vijë në atë moment kur para se t'i arrestosh njerëzit, ta kesh akuzën e gatshme. Jo t'i arrestosh dhe pastaj të bësh hetime. Ne duhet të ndërrojmë kahjen e procesit sepse kjo krijon problematika jo vetëm për personat me poste publike politike, por dhe për qytetarin e thjeshtë. Në momentin që ti ke arrestuar gjënë e parë bëj akuzën dhe pastaj vazhdo procesin. Nuk mund t'i thuash do filloj hetimin, pastaj do gjej provat”, deklaroi më tej Krasniqi.

“Dita kur edhe Gjykata e Krimeve të Rënda (GJKKO) do ketë të njëjtin standard besimi publik, do jetë ditë e mirë për demokracinë sepse nuk është SPAK që jep drejtësi, është gjykata që jep drejtësi. SPAK-u jep akuzë dhe ne në Shqipëri jemi mësuar me akuzë, me ato fletërrufetë popullore të asaj periudhe, por ditën kur gjykata provon se akuza është e saktë, provat janë të sakta, dëshmitë janë të sakta dhe individi dënohet, ajo do jetë drejtësia funksionale. Ne ende nuk jemi deri aty, por nga ana tjetër nëse ne kemi pakënaqësi dhe kritika për aspekte të SPAK-ut dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, ne e pranojmë atë që unë thashë edhe më përpara që janë strukturat më funksionale në sistemin aktual të përballjes me korrupsionin dhe me krimin e organizuar”, shtoi më tej politologu Afrim Krasniqi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos