Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se ka arsye për të qenë optimist po të krahasosh se si luftohej korrupsioni 10 vite më parë e si luftohet tani.
“Unë mendoj që neve në përgjithësi si shoqëri, por dhe politikës i mungon kjo sinergjia për të luftuar të keqen. Domethënë, shpesh herë kur shikon fenomene të caktuara ke arsye për të qenë jo optimist, por megjithatë nëqoftëse ne e krahasojmë gjendjen me, po themi para 10 vitesh, pra si luftohej korrupsioni para 10 vitesh dhe si luftohet tani, unë mendoj se ka arsye për të qenë optimist”, shtoi Petro Koçi.
“Ka nevojë për të plotësuar të gjithë organikat, qoftë të gjyqtarëve, prokurorëve edhe me të shkolluar në universitetet jashtë vendit. Sigurisht që këtu duhet të kalojnë një lloj prove. Nuk e di, mund të ngrihet një lloj institucioni që bën një provim. Sepse nuk ka kuptim që nëqoftëse ti duhet të kesh, ta zëmë diku 40 prokurorë dhe sot ke 20, i bie që gjysma e punës mund të bëhet”, shtoi ish-deputeti socialist.
Sipas tij, duhet një komunikim më konstruktiv edhe mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë.
“Unë mendoj që ka nevojë për një komunikim më konstruktiv mes politikës, në këtë rast Parlamentit, dhe të gjitha institucioneve ose komunitetit të institucioneve të drejtësisë, në mënyrë që të identifikohet çdo lloj problematike që duhet korrigjuar. Ka nevojë për një frymë jo pozitë-opozitë, por për një lloj fryme tjetër. Unë mendoj që një komision, siç është ai i Ligjeve, ndoshta duhet të bëjë disa seanca, por jo me këtë natyrën e llogaridhënies, por me një natyrë krejt tjetër. Për shembull, Dumani e ngriti një problem, e ka ngritur dhe herë tjetër ai çështjen e mandatit të prokurorëve. Dhe deri tani nuk është se është dëgjuar ndonjë përgjigje nga politika. Çfarë do bëhet me mandatet e prokurorëve të SPAK? Sepse ata kanë një përfundim. Pra, çfarë do ndodhi më pas? Ka gjithmonë një pikëpyetje. Nuk dihet ç'do të thotë kjo. Sigurisht që ata që punojnë atje duhet t'i përgjigjen ligjit në fuqi, por gjithsesi kur ti ke një pikëpyetje lidhur me karrierën tënde, me të ardhmen tënde, unë mendoj që kjo e ul energjinë, nuk e nuk e maksimalizon. Kështu që ka nevojë për këtë lloj komunikimi”, tha Koçi.
(A2 Televizion)