Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, deklaroi se pret që fondet e IPARD-it të rihapen brenda këtij viti, pas pezullimit dhe procesit të rishikimit me autoritetet europiane.
“Unë mezi po pres të hapen prapë fondet e IPARD-it dhe me shpresë në verën e këtij viti, maksimumi vjeshtë, do të hapen sërish. Është një histori suksesi e cila rriti shumë biznese. Unë vetë kam vizituar mbi 45 subjekte”, u shpreh Shalsi.
Sipas tij, pezullimi i skemës nuk duhet parë si dështim, por si pjesë e një procesi korrektues që synon përmirësimin e mekanizmave të kontrollit dhe transparencës.
“IPARD-i u pezullua. Rihapja e IPARD-it erdhi pas një procesi negocimi për të kuptuar çfarë duhet përmirësuar. Kjo është arsyeja pse ka 83 mandate Partia Socialiste, pasi ka mësuar nga gabimet”, shtoi deputeti socialist në Off The Record me Andrea Dangllin.
Deklaratat e Shalsit vijnë në një moment kur çështja e fondeve të bujqësisë dhe mbështetjes për bizneset rurale mbetet një nga temat më të ndjeshme në raportin mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian, ndërsa fermerët dhe sipërmarrësit presin rihapjen e skemave financuese.
(A2 Televizion)