Kushtetuesja zgjidh “hallin” me PS, normë e re, mandati i deputetit shqyrtohet edhe pa vendim kuvendi

Nga A2 CNN
14 Korrik 2025, 17:49 | Politikë

Gjykata Kushtetuese ka gjetur një zgjidhje ndaj akteve të maxhorancës parlamentare që refuzon të zbatojë vendimet e saj. Duke shfrytëzuar padinë e demokratëve për çështjen e legjitimitetit të mandatit të Vullnet Sinës, trupa kushtetuese hodhi një hap më shumë, duke krijuar një normë të re. 

Në rastet kur Kuvendi nuk çon për gjykim raste të tjera analoge, siç ka bërë me mandatin e Olta Xhaçkës, Gjykata Kushtetuese autorizon 1/5 e deputetëve, t’i drejtohen drejtpërdrejt trupës, kur dyshojnë se një prej kolegëve është në shkelje të mandatit.

Gjykata rithekson se në çdo rast një e dhjeta e deputetëve ka të drejtën të kërkojë nga Kuvendi me mocion që të dërgojë në Gjykatë çështjen e papajtueshmërisë së deputetit në ushtrimin e mandatit dhe në rast të rrëzimit të një mocioni të tillë, aktivizohet e drejta e jo më pak se 1/5 së deputetëve për të vënë drejtpërdrejt në lëvizje gjykimin kushtetues për shqyrtimin në themel të çështjes së papajtueshmërisë dhe deklarimin e mbarimit të mandatit të deputetit.

Kjo normë e re e Gjykatës u krijua pas tre vendimeve të shumicës parlamentare që me votë refuzoi të dërgonte për shqyrtim në Gjykatë fillimisht mandatin e Olta Xhaçkës dhe më pas atë të Vullnet Sinës. 

Më herët Gjykata Kushtetuese kishte sanksionuar se vetëm trupa e saj mund të gjykonte në themel nëse një deputet ishte në kushtet e papajtueshmërisë me mandatin, ndaj kishte urdhëruar Kuvendin që t’i dërgonte raste për shqyrtim. Në kushtet kur Kuvendi po injoronte këto vendime të Gjykatës, vetë trupa e pa të arsyeshme krijimin e një norme të re, që do t’i lejonte asaj gjykimin në themel të çdo pretendimi, pa pengesën e vullnetit politik të shumicës në Kuvend. Përballë këtij precedenti të ri, Gjykata çmoi se për ta vënë direkt në lëvizje trupën kushtetuese duhet të jenë së paku 28 deputetë.

Për t’i dhënë kuptim dhe vlerë normave kushtetuese në lidhje me mbrojtjen e integritetit të funksionit publik të deputetit, garantimin e ushtrimit nga Gjykata të kompetencës së saj dhe të drejtës së pakicës parlamentare në përmbushje të misionit dhe funksioneve të saj, Gjykata i përmbahet konceptit se Kushtetuta duhet interpretuar si një “instrument i gjallë” dhe në mënyrë që të ketë kuptimin më të arsyeshëm dhe më efikas të mundshëm, që do të thotë se ajo i përshtatet evolucionit që bëjnë vlerat në vendin tonë.

Pikërisht ky evolucion i vlerave, të cilave u referohet Gjykata, e ka nxitur atë ta shikojë Kushtetutën si një instrument të gjallë që i përshtatet nevojave, duke krijuar kështu një normë të re kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos