“Ka shkuar 500 euro vota”, Noka për A2 CNN: Ja si i pengoi Rama 6157 himarjotë të votojnë

Nga A2 CNN
4 Gusht 2024, 19:32 | Politikë

Në një intervistë për A2 CNN, pak para përfundimit të orarit zyrtar për zgjedhjet në bashkinë e Himarës, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka akuzuar socialistët se kanë tentuar të blejnë vota duke ofruar deri në 500 euro për zgjedhës.

“Qershia mbi tortë e kësaj masakre elektorale përveç blerjes së votave se ka shkuar 500 euro sipas informacioneve vota, përveç sekserëve që kanë zbarkuar për të bërë allishverishe, jo do të japim leje, për të ndërtuar këtë e atë. Qershia mbi tortë është deklarata e Celibashit që pohon se kush voton e kush nuk voton në Shqipëri e vendos Edi Rama”, tha Noka.

Numri dy i Partisë Demokratike u ndal gjatë te problematika e krijuar për mbi 6000 votues të cilëve u kishte skaduar karta e identitetit.

Sipas tij, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi ia ka konfirmuar më herët në një komunikim telefonik se kryeministri Rama nuk do të pranonte që këta himarjotë të votonin më 4 gusht.

Noka shprehu bindjen se mbi 6 mijë votuesit e penguar për të votuar ishin mbështetës të opozitës, duke e argumentuar qëndrimin e tij me faktin se shumë prej tyre kanë aplikuar për ID të reja, por u është thënë se do t’i tërheqin pas dy javësh.

“Kam kontaktuar disa herë gjatë këtyre ditëve me zotin Celibashi dhe nga ana e zotit Celibashi më është konfirmuar se Edi Rama nuk do të pranojë që të votojnë 6157 zgjedhës himarjotë. Që këtu procesi është shkatërruar. Sepse kaq zgjedhës në një bashki të madhe devijojnë rezultatin jo këtu. E ka devijuar sepse janë të gjithë të identifikuar. Edi Rama vendosi t’iu mohojë të drejtën e votës sepse nuk janë mbështetës të tij. I kemi thënë dhe kanë aplikuar, rilindasit i kanë marrë brenda 24 orëve kartat e identiteti., demokratëve dhe opozitarëve u kanë thënë hajdeni pas dy javësh. Janë identifikuar kush është me opozitën dhe me pushtetin dhe opozitarëve u është thënë hajdeni pas dy javësh. Një fakt konkret: E motra e kryetares së PD ka aplikuar së bashku me tre rilindas për kartën. Atyre u është dhënë të nesërmen, ndërsa asaj çdo ditë që ka shkuar i është thënë do vish pas dy javësh.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos