
“Dy mbledhjet e fundit dhe këto takimet e fundjavës nëpër restorante na tregojnë që Partia Socialiste nuk ka kuptuar asgjë nga realiteti”.
Kështu u shpreh Politologu Afrim Krasniqi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Krasniqi shtoi: “Jo vetëm kaq, por e kanë deformuar realitetin në mënyrë të pakthyeshme. Kur mendon se kjo është krizë lumturie, që ata protestojnë e kritikojnë nga lumturia e tepërt, kjo është t’i fyesh, t’i banalizosh dhe t’i thuash që kjo politikë nuk arrin dot të ofrojë një të ardhme tjetër për Shqipërinë”.
“Politikanët i kanë idetë e tyre deri në 7 vjet, deri atëherë prodhojnë energji e shpresë. Problemi i madh i yni është se e kemi kthyer politikën si çështje punësimi. Një palë ka krijuar një sistem, kontrollon vota përmes tij, gjeneron status social dhe është e kënaqur. Por, kjo mban peng demokracinë dhe zhvillimin. Ka një hendek të madh mes Shqipërisë që ne njohim dhe Shqipërisë që njohin politikanët”, theksoi politologu Afrim Krasniqi. (A2 Televizion)