Një luftë për dy vende është ajo e Partisë Demokratike në Tiranë. PD ia doli që të rimarrë mandatin që për pak kohë ia “rrëmbeu”, Mundësia dhe me votat e numëruara deri tani do të çojë në Kuvendin e ri 14 deputetë.
Përveç 12 emrave nga lista e mbyllur, gara për dy vendet e listës së hapur duket tepër e fortë, kur janë numëruar 140 nga 1282 QV në total për qarkun e Tiranës.
Përkohësisht kryeson këtë garë brenda llojit Ilir Alimehmeti me 1642 vota. Jashtë Kuvendit të ri rrezikon të mbesë ish-nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku, e cila momentalisht ndodhet në një garë të ngushtë me Loranca Hoxhën.
Tabaku ka 1441 vota, ose 44 vota më pak se Hoxha, e cila ia ka dalë të marrë 1490 deri më tani. Myslym Murrizi ndjek dy gratë demokrate me 1052 vota.
Jashtë Kuvendit të ri me votat e numëruara deri tani ngelet edhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ai i PDIU Shpëtim Idrizi, por edhe deputeti aktual, Asllan Dogjani. (A2 Televizion)