Reforma Territoriale, Krasniqi: Dokumenti shkoi në Parlament dhe tani po bëhen konsultime, kjo nuk ka sens

Nga A2 CNN
1 Shtator 2026, 22:41 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi u shpreh se Shqipëria ka nevojë jetike për një Reformë Territoriale, por dokumenti që ka shkuar në Parlament, sipas tij, “ka një nonsens”.

“Edhe unë jam për për një reformë totale dhe madje unë jam për numrin më të vogël sepse nëse ne pranojmë që Shqipërisë i kanë ikur 400 mijë apo 500 mijë veta, do të thotë teorikisht se ne duhet të ulim numrin e bashkive, jo ta rrisim numrin e bashkive. Por, kjo ka vlerë nëse ne do e kemi të qartë ku do jetë Shqipëria pas 15-20 vitesh. E para, kjo nuk është reformë. E dyta, është bërë nën presionin e kohës për zgjedhjet e ardhshme lokale. Asnjë vend në Europë nuk bën një reformë të tillë për tre muaj apo katër muaj. S'ka ndodhur ndonjëherë. Modeli europian ishte dy deri në tre vjet. Elementi tjetër është se për çfarë ne po bëjmë reformën, a po bëjmë për qytetarët atje? Le të kujtojmë që kryetari i bashkisë është i vetmi zyrtar në Republikën e Shqipërisë që zgjidhet direkt nga qytetarët. Ti more rastin e Belsit, kush do jetë pasoja ete Belshi? Po të marr një prej pasojave: Belshi nuk do ketë kurrë më anëtar Këshilli Bashkiak”, tha Krasniqi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Politologu shtoi se dokumenti i Reformës Territoriale “ka një nonsens”.

“Cili është mekanizmi që e bën qeverisjen e re dhe modelin e ri më afër qytetarëve dhe më afër programit të zhvillimit? I mungon ky lloj komponenti edhe projektit të ri. Unë e kam parë atë dokumentin. Dokumenti ka edhe një nonsens. Dokumenti ka shkuar në Parlament, është propozuar dhe pasi ka shkuar në Parlament, tani po bëhen konsultime. Rregulli duhet të kishte qenë krejt tjetër. Konsultimet duhet të ishin bërë para se të shkonte në Parlament dhe komisioni i cili paguhet me taksat tona duhet të kishte arritur parimet kryesore të reformës, edhe nëse do ishin ndarë në çështjen e numrave në momentin e fundit. Dhe ne kemi dy raporte dhe një proces parlamentar që ka nisur nga fillimi, ndërkohë që duhet të ishte pjesa fundore e tij. Në një përgjigje që na erdhi nga Parlamenti thuhej “pasi të na vijnë përgjigjet nga bashkitë e prekura në Shqipëri, do fillojë procesi i konsultimit pastaj brenda Parlamentit dhe do pyetet qeveria”, kur kryeministri vetë është një nga individët të cilët e kanë firmosur në mos gaboj edhe dokumentin dhe ka çuar atje. Dua të ndaj dy gjëra. Unë jam për reformën, ne kemi nevojë jetike për të bërë një reformë, por unë jam që Shqipëria të ketë kryetarë bashkie. Shqipëria sot nuk ka kryetarë bashkie. Kryetarët e bashkive emërohen me lista të mbyllura dhe me linjë direkte me titullarin e partisë. Në një vend ku ndodh kjo gjë do të thotë koncepti politik në Shqipëri nuk është për reformë të qeverisjes vendore. Koncepti është “do zgjerojmë territorin” dhe pastaj kur e shikon këtë lloj koncepti në funksion të zgjedhjeve të ardhshme ti kupton pse janë krijuar disa bashki dhe pse kanë shpëtuar disa bashki”, shtoi Krasniqi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos