Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u përplasën me FNSH te Kthesa e Kamzës

Nga A2 CNN
29 Tetor 2024, 20:00 | Politikë

Duke nisur nga ora 17:00 e pasdites, Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj bllokuan akset rrugore të vendit nga veriu në jug, në 6 nyje nevralgjike si Kthesa e Kamzës, rrethrrotullimet e Shkozetit, Bradasheshit, Levanit dhe Rrogozhinës, si dhe kryqëzimi i Milotit.

Protesta e kësaj të hëne zgjati tre orë, me demokratët që zbatuan me rigorozitet lejen që i kërkuan Policisë së Shtetit, duke e mbyllur protestën në orën 20:00 me deklaratat e deputetëve që drejtuan tubimet në të 6 akset që u bllokuan.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ishte ai që e mbylli protestën në kryeqytet, ku nga Kthesa e Kamzës tha se mosbindja civile do të vazhdojë dhe e quajti këtë të sotmen një "fitore" të opozitës, shkruan A2.

"Dua të bëj me dije se sot ka qenë ditë e zezë për narkoregjimin. Ata kanë sjellë narkopolicinë me qëllim që të intimidojnë opozitën. Mosbndja civile ka filluar të japë frutet e veta. Mosbindja civile do t’i japë zgjidhje Shqipërisë dhe shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mosbindja civile do të vazhdojë. Kthim nuk ka, qëndresa dhe rezistenca do të japë frutet e saj”, deklaroi Flamur Noka.

Mosbindja civile e kësaj të hëne ishte në vazhdën e tubimeve që Partia Demokratike ka zhvilluar prej burgosjes së deputetit Ervin Salianji dhe gjatë së cilave është bërë thirrje për qeveri teknike, rrëzimin e Edi Ramës dhe lirimin e kryetarit të tyre Sali Berisha.

20:00 - Tre orë mosbindje civile, PD zbaton orarin, e mbyll protestën në 20:00

Ashtu siç ishte paralajmëruar, pas tre orësh që bllokuan akset rrugore të vendit nga veriu në jug, në 6 nyje nevralgjike, Partia Demokratike e ka mbyllur protestën në orën 20:00 të mbrëmjes.

Për 180 minuta, duke nisur nga ora 17:00, drejtuesit më të lartë të PD, deputetët dhe mbështetësit e opozitës mbajtën të bllokuar mbikalimin te Kthesa e Kamzës, rrethrrotullimet e Shkozetit, Bradasheshit, Levanit dhe Rrogozhinës, si dhe kryqëzimi i Milotit.

Protesta u shoqërua me disa akte të mosbindjes civile, si djegie gomash e koshash të mbeturinave, por nuk pati përplasje me qytetarë të bllokuar në rrugë.

Incidenti i vetëm i rëndë u regjistrua në Tiranë, ku protestuesit dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u përplasën me policinë dhe efektivët e FNSH-së për pak minuta te Kthesa e Kamzës.

Përplasjet verbale me policinë nuk munguan as në Elbasan, ku Tomorr Alizoti e Ivi Kaso kritikuan forcat e rendit, madje duke i akuzuar se provokuan protestuesit që kishin bllokuar rrethrrotullimin e Bradasheshit.

Protesta e kësaj të hëne ishte në vazhdën e tubimeve që Partia Demokratike ka zhvilluar prej burgosjes së deputetit Ervin Salianji dhe gjatë së cilave është bërë thirrje për qeveri teknike, rrëzimin e Edi Ramës dhe lirimin e kryetarit të tyre Sali Berisha.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

19:39 - Djegie gomash e kartonësh te Kthesa e Kamzës

Protestuesit kanë djegur goma edhe në protestën tek Kthesa e Kamzës në Tiranë. Përveç gomave, protestuesit i vunë flakën edhe kazanëve të plehrave.

Pas tensioneve dhe përplasjes mes protestuesve dhe forcave të FNSH-së, të kthesa e Kamzës së fundmi protestuesit i kanë vënë flakën gomave dhe kazanëve të plehrave. Zjarri është në vendin ku protestuesit kanë lënë makinat për të bllokuar rrugën.

Prej orës 17:00 vijon protesta e opozitës në disa nga akset kryesore të vendit, me qëllim bllokimin e qarkullimit, e planifikuar deri në orën 20:00.

Më herët te Kthesa e Kamzës, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u kërkoi efektivëve të largohen dhe të mos provokojnë qytetarët, përndryshe ata do t’i drejtohen shtëpisë së kryeministrit Edi Rama në Surrel.

Ndërkohë në Elbasan është hapur qarkullimi për automjetet, ndërsa në Levan aksi vijon ende i bllokuar, por protestuesit po largohen. I paralizuar prej orës 17: 00 është qarkullimi edhe në Shkozet. 

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

19:30 - Protesta e opozitës, hapet qarkullimi në Elbasan

Është hapur rreth orës 19:20 qarkullimi në Elbasan, ku protestuesit janë larguar nga rrethrrotullimi i Bradasheshit.

Protesta vijoi e qetë në këtë zonë, derisa në fundin e saj ndodhi një incident.

Në momentin që ka ardhur një ambulancë. Protestuesit kanë hapur rrugën, por ka qenë edhe një automjet tjetër pas ambulancës, i cili ka tentuar të kalojë dhe është fikur për shkak të një defekti. Në kushte të tilla, policia ka kërkuar ndihmën e një karrotreci për të bërë të mundur largimin e automjetit që ka pësuar defekt.

Ky moment është konsideruar si provokim nga ana e protestuesve.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

19:20 - Mosbindja civile, përplasje edhe te rrethrrotullimi i Bradasheshit

Në rrethrrotullimin e Bradasheshit, një nga pikat ku mbështetës të opozitës po protestojnë në kuadër të mosbindjes civile, ka patur tensione, shkruan A2 CNN.

Tensionet kanë nisur rreth orës 19:00, në momentin që ka ardhur një ambulancë. Protestuesit kanë hapur rrugën, por ka qenë edhe një automjet tjetër pas ambulancës, i cili ka tentuar të kalojë dhe është fikur për shkak të një defekti.

Në kushte të tilla, policia ka kërkuar ndihmën e një karrotreci për të bërë të mundur largimin e automjetit që ka pësuar defekt. Ky moment është konsideruar si provokim nga ana e protestuesve.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

19:15 - Përleshje te Kthesa e Kamzës, Noka e protestuesit përplasen me forcat e FNSH

Ka tension dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të FNSH-së, të cilat prej disa minutash janë stacionuar te Kthesa e Kamzës, një nga 6 akset që janë bllokuar prej protestuesve të Partisë Demokratike prej orës 17:00.

Përleshjet kanë nisur pak pasi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u kërkoi efektivëve të largohen dhe të mos provokojnë qytetarët, përndryshe ata do t’i drejtohen shtëpisë së kryeministrit Edi Rama në Surrel.

“Mos provokoni, tërhiquni”, ishte thirrja e mëhershme nga deputetja demokrate Albana Vokshi për efektivët, ndërsa Asllan Dogjani tentoi të shmangte përplasjen duke tërhequr protestuesi.

“Largohuni. Kam vetëm këtë thirrje. Largoni këta banditë me uniformë, në të kundërt Surreli do të jetë destinacioni i protestuesve”, tha Noka.

Ai madje i bëri thirrje Drejtorit të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj të largojë policinë, përndryshe sipas tij “nuk do gjeni vend ku të futeni”.

Por, Vocaj nuk ka preferuar t'i përgjigjet duke mos reaguar, ndërkohë që policia ka ngushtuar ndjeshëm perimetrin e protestës së opozitës, teksa shkojmë drejt orë 20:00, kur edhe parashikohet që mosbindja civile të përfundojë.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

18:58 - Tension te Kthesa e Kamzës, Noka: Drejt Surrelit po nuk iku policia! Dogjani: Mos na provokoni 

Është tensionuar protesta e opozitës te Kthesa e Kamzës, ku edhe është stacionuar pjesa më e madhe e deputetëve demokratë dhe drejtuesit më të lartë të selisë blu.

Teksa protestuesit janë rrethuar nga efektivë të shumtë të FNSH-së me skafandra, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka është prononcuar për mediat duke kërkuar largimin e policisë nga vendi i tubimit.

Ai është shprehur se nëse policia nuk ikën, turma do të shkojë drejt Surrelit, ku edhe ndodhet shtëpia e kryeministrit Edi Rama, shkruan A2.

“Asnjë rrugë tjetër nuk ka. Po nuk larguan në mënyrë urgjente narkopolicët, këta banditë të veshur me uniformë policie”, tha Noka.

“Po mbroni narkot. Nga po i mbroni, nga qytetarët? Nuk meritoni të qeveriseni nga një drejtor që është përfaqësues i krimit të organizuar dhe as nga një kryeministër që është përfaqësues i narkosit në këtë vend”, i ka thënë Noka – policëve.

Ndërkohë, deputeti demokrat Asllan Dogjani i ka kërkuar protestuesve që të shmangin përplasjet me policinë dhe njëherësh u ka kërkuar forcave të rendit që të largohen e të shmangin provokimet, raporton A2.

“Dilni në rrugë atje, s’kena punë me policët fare ne. Ne protestojmë për të drejtat tona”, ishin fjalët që Dogjani u tha protestuesve.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

18:54 - “Sot treguam forcën”, Boçi: Qytetari që Rama e konsideron të dobët, organizohet dhe paralizon gjithçka

Nga Miloti, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, u shpreh për A2 CNN se opozita është “e vendosur për të arritur qëllimin, që është qeveria teknike, liria për liderin e opozitës dhe fundi i luftës ndaj përfaqësuesve të opozitës”.

“Aktet e mosbindjes civile kanë qenë të ndryshme, qoftë në sallën e Parlamentit, qoftë edhe në protesta”, theksoi Boçi.

“Sot treguam forcën e qytetarit, të atij qytetari që Rama e konsideron të dobët, organizohet dhe paralizon gjithçka”, shtoi nënkryetari i PD. (A2 Televizion)

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

18:50 - Beleri u qëllua me vezë, reagon Dule: U inskenua nga Rama. T’i japim fund autokracisë

Incident të papranueshëm dhe të inskenuar nga kryeministri Edi Rama e ka konsideruar kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, protestën kundër eurodeputetit Fredi Beleri në Tiranë, ku u qëllua me vezë dhe kos nga një qytetar.

I pranishëm në protestën e opozitës te Kthesa e Kamzës në kryeqytet, Dule theksoi se këto akte lënë hije për imazhin e Shqipërisë që ëndërron të jetë pjesë e realitetit europian.

“Duhet pohuar ajo që pamë të gjithë nuk ishte protestë, por ishin 2-3 individë që ishin motivuar prej tjetër kujt. Incident i inskenuar, është i papranueshëm nga çdo këndvështrim. Pas asaj është dora e vetë atij që inskenoi arrestimin dhe pengimin e drejtimit të bashkisë së Himarës nga zoti Beleri. Pra zoti Rama dora vetë. Këto akte janë të kopsitura në mënyrë amatore dhe të dënueshme prej të gjithëve. Por efektet e incidenteve të tilla shkojnë përtej ditës ku ndodhin,  lënë hije për imazhin e shoqërisë sonë që ëndërron të jetë pjesë e realiteteve europiane. Nuk ka inskenim të zotit Rama që mund të eklipsojë këtë realitet”, tha Dule për A2.

Ai bëri thirrje për kontributin e të gjithë kundër autokracisë së Ramës siç e quajti ai.

“Ajo që është në vëmendjen e të gjithë është autokracia e zotit Rama dhe duhet të kontribuojmë të gjithë maksimalisht që ky proces që ka nisur me protestën e opozitës në Strasburg, kontaktet në Këshillin e Europës dhe do të vijë rezultati. Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe sovrani të thotë fjalën e fundit këtu duhet të bashkohemi të gjithë”, u shpreh Dule për A2.

Për protestën e sotme Dule tha se dëshmi që reagimi qytetar po masivizohet dhe intensifikohet.

“Reagimi është dhe duhet të jetë qytetar se kushtet ku jetojmë janë të një autokracie të mirëfilltë që ka kapur çdo segment të jetës publike shtetërore e qeveritare kjo është dëshmi se protesta e reagimi po masivizohen e intensifikohen. Kjo është dita e parë që shënon mosbindjen civile përtej Tiranës. Është një sukses në sensibilizimin e qytetarëve dhe për të përcjellë mesazhin se praktika të tilla nuk kanë vend e nuk do të tolerohen”. 

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

18:43 - “Do ia bëjmë stërr Ramës”, Ndoka e pranon nga Kthesa e Kamzës: Qeveria nuk bie me 1, 2 apo 3 protesta

Nard Ndoka nga Kthesa e Kamzës teksa foli për “Ditari” nga Bruna Çifligu në A2 CNN tha se protesta e sotme, e cila konsistoi në bllokimin e 6 akseve rrugore nga veriu në jug të vendit, është sensibilizuese, “për të treguar se në Shqipëri ka një problem, për faktin se kryeministri ka bllokuar sistemin, ka kapur drejtësinë dhe ka bllokuar rotacionin”.

“Protesta ishte sensibilizimi në tërësi. Ishte një plan i mire koordinuar me të gjithë aktorët politikë, duke vendosur edhe një lloj standardi për ne pasi mosbindja civile ka forma dhe mënyra nga më të ndryshmet, nuk është vetëm përplasje, ballafaqime, dhunë. Nuk është ky qëllimi ynë. Por nëse ne kemi një kryeministër përballë që nuk reagon nga këto protesta. Nëse ai nuk e kupton me prova dhe fakte që në Durrës ka tre deputetë që kanë dalë me vota të grupeve kriminale. Një kryeministër i kapur në përmasa të tilla kriminale, që është diktuar nga grupet kriminale për të futur një kandidat në listë, ai duhej të largohej menjëherë”, deklaroi Ndoka.

I pyetur nëse me këtë formë proteste do të ndryshojë qasja e kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës, Ndoka tha se shefi i qeverisë është i papërgjegjshëm. Kreu i Demokristjanëve tha se ai nuk hyn në kategorinëq e politikanëve që beson se Rama rrëzohet me 1 apo 2 protesta.

“Ne kemi përballë një kryeministër të papërgjegjshëm. Unë nuk besoj asnjëherë që ia ndjen kryeministrit por kjo është më tepër për sensibilizimin e qytetarëve, të ndërkombëtarëve për t’i treguar se në Shqipëri ka një problem të thellë në jetën politike. Ka një shqetësim nga opozita por edhe nga qytetarët. Kjo është ajo që pritet nga protesta. Nuk hyj te ata politikanë që mendojnë se me 1, 2, 3 protesta do ta rrëzojmë qeverinë, por pa diskutim që duhet këmbëngulje dhe përballje e vazhdueshme”, u shpreh Ndoka për mikrofonin e A2 CNN.

Ai më tej shtoi se hapat që do të ndiqen në vijim nga opozita do të shkojnë deri në “ballafaqim në Parlament dhëmbë për dhëmbë e ballazi me Edi Ramën duke ia bërë atij stërr”. Kjo pasi sipas Ndokës, kryeministri nuk e njeh Parlamentin, nuk e njeh drejtësinë, as sistemin gjyqësor.

Ndoka nuk kurseu as batutat duke thënë se ambulanca e tretë, së cilës protestuesit i hapën rrugën te Kthesa e Kamzës ka kryeministrin brenda.

“Kjo është me Edi Ramën, se Edi Rama është me apandesit, e kapi”, tha Ndoka me ironi.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

18:38 - Deputeti demokrat, mesazh për drejtuesit e automjeteve: Kjo betejë është edhe për ju

Nga Rrogozhina, deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, pati një mesazh për të gjithë ata drejtues automjetesh që sot janë bllokuar nga protesta e opozitës.

“E di që është bezdi e madhe të bllokohesh në rrugë, por duhet ta dinë që kjo përpjekje e jona nuk është vetëm për ne. Kjo betejë është për çdo shqiptar. Krimi i organizuar në këtë vend që abuzon me pronat dhe fondet publike të këtij vendi prek të gjithë shqiptarët njësoj”, tha Nallbati për A2 CNN.

Sipas tij, “protesta është brenda pritshmërive dhe objektivi është arritur”.

“Aksi është bllokuar i gjithi. I gjithë aksi nga Durrësi në drejtim të jugut është i bllokuar. Nuk mund të flitet për shtet të së drejtës kur përdhosen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kështu që nuk mund të pretendosh zgjedhje të lira me këtë qeveri. Opozita është e vendosur për aksione të tjera dhe përgatitjen e PD për përballjet e radhës. Protesta do të vijojë siç është parashikuar dhe do të mbyllet në orarin e njoftuar”, u shpreh deputeti demokrat.

Kur u pyet se si do të vijojë mosbindja civile pas ditës së sotme, Nallbati u përgjigj: “Do të ketë aksione të llojeve të ndryshme, deri në arritjen e objektivit që ky vend të çlirohet nga bandat në pushtet. Qeveria teknika është e vetmja garanci”.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

18:23 - Partia e Lirisë proteston për qytetarët apo për arrestimin e Metës? Përgjigjet Erisa Xhixho

Erisa Xhixho, deputete e Partisë së Lirisë, nga kthesa e Kamzës deklaroi për A2 CNN se “çdo protestë është e suksesshme, çdo protestë shërben për një demokraci më të shëndoshë, pasi nuk kemi të bëjmë vetëm me një keqqeverisje, kemi të bëjmë me një regjim”.

“Sot qytetarët kanë arsye për të protestuar për çmimet e larta, për pagat e ulta, për fëmijët që kanë ikur në emigracion, për naftën që e kanë më të shtrenjtë se Singapori, për sistemin arsimor që e kanë të dështuar, për sistemin shëndetësor, për largimin e 1 milion shqiptarëve… Pa harruar rastin më të rëndë, atë të Çyrbes, që tregoi se nga kush drejtohen zgjedhjet në Shqipëri, ku bandat dhe krimi i organizuar përcaktojnë renditjen. Ai model është modeli i gjithë Shqipërisë”, u shpreh Xhixho.

Kur u pyet nëse Partia e Lirisë proteston për arsyet e mësipërme apo edhe për arrestimin e Ilir Metës, Xhixho u përgjigj: “Ai nuk ishte arrestim, por pengmarrje".

"Sot, Presidenti i Partisë së Lirisë vuan një burg politik. Rama përdor drejtësinë si armë ndaj kundërshtarëve politikë. Kur arrestohesh nga policë me maska dhe merresh zvarrë, ai është mesazh që kur këtë ia bëjmë Metës, ia bëjmë kujtdo”.

“Bllokimi i rrugëve është një formë që ka zgjedhur Partia Demokratike dhe ne i jemi bashkuar. Po përdorim çdo mjet demokratik dhe po kërkojmë zgjedhje të lira e të ndershme, që mos të vendosin bandat dhe paratë e pista”, theksoi më tej deputetja e Partisë së Lirisë. 

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

18:17 - “Policia të mos bëj provokime!” Paloka: E keqja është në çdo derë. Jemi këtu për t’i hequr qafe këta

Nuk ka arsye për agresivitet, pasi qëllimi i protestës së opozitës është vetëm bllokimi i akseve rrugore. Kështu u shpreh nga Durrësi, Edi Paloka në një deklaratë për mediat, i cili thekson se ka paralajmëruar policinë që të mos bëjë provokime.

“Nuk ka arsye për agresivitet. Qëllimi i i sotëm ka qenë vetëm bllokimi i akseve rrugore paralajmërova policinë që mos bëjë provokime se ne nuk kemi qëllim tjetër veç asaj që kemi shpallur”.

Thirrjeve të policisë për mos bllokimin e mjeteve, Paloka iu përgjigj: "Policia atë thirrje t’ia bëjë Ramës e Veliajt që e bllokojnë rrugën për qejfet e tyre. Ne jemi në protestë dhe nuk marrim leje nga policia që drejtohet nga dy njerëz që janë zgjedhur nga bandat. Nuk ka leje, nuk merret leje kemi njoftuar publikisht protestën tonë, as ligjërisht nuk merret leje”.

Paloka theksoi se shqiptarët duhet të ngrihen të gjithë për të ndalur të keqen që sipas tij është në derën e çdo qytetari.

“Kjo qeveri për ne prej kohësh nuk duhet të ishte më, por kjo nuk varet nga reagimi ynë i sotëm. Nuk është betejë e opozitës, por e të gjithë qytetarëve tanë. E keqja është në derën e çdo qytetari. Dje u kthyen në Shqipëri mbetjet e rrezikshme dhe qytetarët dje ishin në pakicë. Nuk helmohet vetëm opozita, nuk vjedhin vetëm opozitën, por të gjithë shqiptarët. Pensionistët nuk janë vetëm të opozitës me të cilët tallet Rama. Nëse shqiptarët nuk ngrihen t’i thonë të keqes ndal, e kanë të gjithë te dera e shtëpisë në një formë a në një tjetër”.

I pyetur nëse do të ketë shoqërime pas kësaj proteste, Paloka tha: "Kjo polici që rrëmben ish- presidentin sikur të jetë terrorist e fut banditët në parlament për t’u përleshur me deputetë, çdo gjë mund të presësh. Jemi këtu për t’i hequr qafe këta”. 

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

18:12 - Protestuesit i lirojnë rrugën ambulancës te Kthesa e Kamzës

Erisa Xhixho nga Kthesa e Kamzës, e cila është e bllokuar prej më shumë se një ore ishte duke folur për mikrofonin e A2 CNN në momentin kur turma e protestuesve i kanë hapur rrugën një ambulance me sirena të ndezura, e cila kaloi përmes tyre.

“Duhet të kalojë ambulanca, sepse u përdor protestën e kaluar, e mbani mend sesi punoi propaganda në mënyrë të paturpshme duke thënë se PD-ja ka bllokuar ambulancën”, tha Xhixho.

Sipas gazetarit të A2 CNN, Anesti Bajramemaj kjo ishte e dyta autoambulancë që kalon në autostradën Tiranë-Durrës, tashmë të bllokuar prej nisjes së tubimit, shkruan A2.

Sipas tij demokratët e kanë zhvendosur në të dyja rastet makinën që mban të bllokuar kthesën e Kamzës. 

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

17:56 - Protestuesit u vënë flakën gomave në rrethrrotullimin e Shkozetit

Në rrethrrotullimin e Shkozetit, mbështetësit e opozitës i kanë vënë zjarrin disa gomave.

Një grup protestuesish kanë vendosur gomat në asfalt dhe më pas u kanë vënë flakën, shkruan A2 CNN.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

17:52 - “Ta rrëzojmë Ramën deri sa të thyejë qafën”, flet protestuesi në Shkozet 

“Ta rrëzojmë Ramën deri sa të thyejë qafën”. Kështu u shpreh një nga protestuesit te mbikalimi i Shkozetit në autostradën Tiranë Durrës. Në një lidhje me Ditarin e Bruna Çifligut, ai akuzoi kryeministrin për gjendjen e rëndë ekonomike dhe tha se do të jetë përherë pjesë e protestave deri në largimin e Ramës.

“Protestoj për të rrëzuar Ramën. Sa herë të na thonë do të vijmë se po sillet shumë keq me popullin. Nuk ka më keq. Na ruajtë Zoti se ai do me na fut në tokë për së gjalli. Pa punë, pa lekë pa asgjë, pensionet përtokë siç e dini vetë. Ka sjellë tragetin me pisllëqe nuk ka ç’të bëjë me keq me këtë popull. Kam marr pjesë në të gjithë protesta dhe do të marr prapë”, tha ai për A2.

Te mbikalimi i Shkozetit protestuesit kanë djegur edhe goma nën thirrjet “Rama ik”. 

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

17:46 - Autostrada Tiranë-Durrës bosh, policia bllokon automjetet te mbikalimi i Rinasit 

E gjithë autostrada Tiranë-Durrës, nga Kthesa e Kamzës deri te mbikalimi Rinasit është bosh. Gazetari Anesti Bajramemaj raporton se policia i ka bllokuar mjetet te Mbikalimi i Rinasit.

Edhe unaza kryesore nga zona e Astirit te Kthesa e Kamzës është e bllokuar. Gazetarja e A2 raporton se automjetet që lëvizin vijnë nga rrugica të vogla që nuk janë bllokuara nga policia.

Ndërkohë në Elbasan drejtuesit e mjeteve që kthehen nga Tirana kanë fikur automjetet në pritje të hapjes rrugës.

Ndërsa te mbikalimi i shkozetit protestuesit djegin goma nën thirrjet “Rama ik”.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

17:44 - “Bllokimi i rrugëve dënohet me 3 vite burg”, policia në Elbasan e Durrës thirrje me megafon protestuesve 

Protestuesve që kanë bllokuar rrethrrotullimet e Bradasheshit në Elbasan dhe Shkozetit në Durrës, policia është duke u bërë thirrje me megafon për të mos penguar lëvizjen e mjeteve, pasi përbën vepër penale.

“Ju kërkojmë shpërndarjen dhe lirimin e menjëhershëm nga rrethrrotullimi i Shkozetit. Në rast të kundërt ndaj jush do të merren këto masa: Do të kryhen veprimet procedurale për fillimin e ndjekjes penale sipas Kodit Penal për pjesëmarrje në grumbullime e tubime të paligjshme”, dëgjohet të thuhet me megafon nga një makinë policie në Durrës.

Sakaq në Elbasan, një nga drejtuesit lokalë të policisë me altoparlant iu drejtua turmës duke u kërkuar lirimin e rrugës.

“Të nderuar qytetarë, Policia e Shtetit bën thirrje: Bllokimi i rrugës është vepër penale, pengimi i qarkullimit të automjeteve. Neni 283 i Kodit Penal, dënohet deri në tre vite burg. Ju lutemi, hapeni rrugën. Policia e Shtetit ju bën thirrje, mos pengoni qarkullimin e automjeteve. Është vepër penale e dënueshme”, dëgjohet të thotë ai, përcjell A2

Por thirrja e policisë vetëm sa ka acaruar qytetarët, të cilët i janë kthyer me thirrjet “Ik, ik, ik”, apo “Kemi marrë leje”.

Kjo detyroi policinë që edhe njëherë të përsëriste thirrjen: “Veprimet tuaja janë të dënueshme. Neni 283 i Kodit Penal, po ju paralajmëroj për herë të fundit”, përcjell A2

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

17:30 - Policia u kujton protestuesve se bllokimi i rrugëve është vepër penale, Kaso: T’ia kujtojë edhe Kryeministrit! 

Nga rrethrrotullimi i Bradasheshit, Ivi Kaso deklaroi se opozita është e vendosur për të përfunduar në mënyrë qytetare bllokadën e sotme të rrugëve kryesore të vendit, ndërkohë që policia u kujtoi me megafon protestuesve se bllokimi i rrugëve është vepër penale.

“Edhe në rrethrrotullimin e Bradasheshit, nisi etapa e mosbindjes civile që ka të bëjë me bllokimin e qarkullimit në akset kryesore rrugore. Jemi treguar të kujdesshëm që, pavarësisht kësaj mënyre jo shumë të zakontë proteste, të lajmëronim qytetarët që të merrnin masa për të qarkulluar paraprakisht. Besoj që në një pjesë të madhe kjo është arritur. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të gjithë opozitarët që janë të vendosur për të përfunduar në mënyrë qytetare këtë bllokadë. Shpresoj që deri në përfundim të kësaj proteste, jo më para se ora 20:00, të mos shënohen përplasje. Deri tani konstatojmë se policia ka marrë masa për të devijuar në akse të tjera trafikun”, tha Kaso.

“Policia do të procedojë penalisht organizatorë dhe qytetarë, nuk kemi dyshim. E ka bërë këtë në çdo protestë. Do të donim që Policia e Shtetit të tregonte të njëjtin zell sa herë që kryeministri për çdo aheng vendos të bllokojë qarkullimin normal”, shtoi Kaso. 

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

17:21 - Aksi rrugor në Levan totalisht i paralizuar, Tritan Shehu: Qytetarët po protestojnë me dinjitet 

Protestuesit janë grumbulluar në rrethrrotullimin e Levanit duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Gazetari i A2 CNN Rigels Malile raporton se ky aks është totalisht i paralizuar, ndërsa ka prani të shtuar të forcave të Policisë.

Në një lidhje me Ditarin e Bruna Çifligun, deputeti Tritan Shehu tha se qytetarët janë të qetë, por të vendosur për të protestuar.

“Qindra qytetarë të revoltuar kanë dalë në mënyrë të vullnetshme për të protestuar për gjendjen e rëndë që po kalon vendi, ekonominë e shkatërruar, varfërinë, shkeljen e lirisë, detyrimin për të braktisur Shqipërinë, duke mbajtur të burgosur politik Sali Berishën duke shkelur çdo parim europian. Qytetarët janë të qetë, por të vendosur për të protestuar. Qytetarët po protestojnë me dinjitet. Skenari është programuar nga PD për këtë protestë, duke shprehur atë që qytetarët ndjejnë për këtë regjim”. 

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

17:13 - Qytetarët ulen këmbëkryq te kryqëzimi i Milotit: Ja paguaj çdo gjë shtetit, s’marr asgjë mbrapsh 

Në kryqëzimin e Milotit, Senad Nikshiqi raporton se disa qytetarë janë ulur ndenjur në mes të autostradës, duke bllokuar lëvizjen në krahun nga Lezha në drejtim të Tiranës.

Ka një numër më të madh protestuesish në këtë pikë që janë bashkuar nga qarku Shkodër, Lezhë dhe Kukës, ndërkohë që qytetarët nga Kurbini dhe Tropoja pritet që të bllokojnë anën tjetër të rrugës nga Tirana drejt Shkodrës dhe Lezhës.

Një qytetar nga zona e Tales në Lezhë tha për mikrofonin e A2 CNN se po proteston për shumë padrejtësi që bëhen në Shqipëri, duke shprehur vendosmërinë për të mos lëvizur nga rruga.

“Jam ul me protestue për të drejtat tona. Për dritat për ujë, për rrugë, për çdo gjë. Çdo gjë ja paguaj shtetit, asnjë gjë nuk ma garanton”, tha protestuesi për A2 CNN.

Deputetja e qarkut Shkodër Greta Bardeli, e pyetur nga gazetari i A2 CNN se përse kanë dalë në protestë, kërkoi që kjo pyetje t’i bëhet qytetarëve, sipas saj të shumtë që kanë dalë kundër qeverisë Rama.

“Është një protestë kundër çdo padrejtësie që po i bëhet jo vetëm zonës së Veriut por gjithë Shqipërisë. Shikoni numrin e lartë të emigracionit, mbylljen e shkollave dhe të shumë bizneseve në qarkun e Shkodrës”, tha Bardeli.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

Ora 17:00 – Mosbindja civile, nis bllokimi i rrugëve nga protesuesit

Ashtu sikurse ishte parashikuar ka nisur në orën 17:00 bllokimi i akseve kryesore të vendit nga Veriu në Jug. Gazetarët e A2 CNN raportojnë se ka protestuesit kanë bllokuar rrugën te mbikalimi i Shkozetit në autostradën Tiranë- Durrës në të dy krahët e saj.

Gazetarja e A2 CNN Elitjona Doko raporton se Edi Paloka dhe deputetët të tjerë të PD-së janë shfaqur që në minutat e para të protestës. Ata kanë deklaruar se kjo është pjesë e mosbindjes civile.

Protestuesit brohorasin nën sloganin “Rama ik!”, ndërsa policia po mbikëqyr mbarëvajtjen e protestës.

Bllokim i qarkullimit raportohet edhe te Kthesa e Kamzës në kryeqytet. Të bllokuar janë edhe rrethrrotullimi në Levan dhe në Elbasan.

Në Milot protestuesit janë ulur në formë proteste në rrethrrotullim për të bllokuar qarkullimin e automjeteve. Protestuesit janë bashkuar nga Shkodra, Lezha e Kukësi, ndërsa Tropoja e Kurbini do të bllokojnë aksin tjetër të rrugës.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

16:45 - Mosbindja civile, Balliu: Beteja e opozitës do të vijojë deri sa të kemi qeveri teknike

Në një lidhje direkte nga kthesa e Kamzës me Ditarin e Bruna Çifligut, Klevis Balliu tha se mosbindja civile do të vijojë deri në arritjen e qeverisë teknike.

Jeta normale e demokracia është bllokuar dhe është koha për t’u bllokuar pushteti. PD e opozita vijon betejën e saj me mosbindjen civile, duke bllokuar akset kryesore. Është një situatë jo nromale, kemi ekonomi të shkatërruar, mafia ka vjedhur institucionet, kapitullimin e shtetit ligjor, kapjen e drejtësisë, arrestimin e fjalës së lirë e opozitës dhe nuk mbetet gjë tjetër për të bërë veçse përballja. Derisa qeveria të dëgjojë zërin qytetar e të kthejë qeverinë teknike opozita do të vijojë betejën e saj me të gjitha format e mosbindjes civile. Dhe kjo është një nga ato".

Për paralajmërimin e ashpër të policisë për pasojat e bllokimit të rrugëve, Klevis Balliu tha se: “Policia të kujdeset se cilët mafiozë po flenë te deputetët e mazhorancës siç është rasti i Çyrbes. Protesta e drejtë kushtetuese nuk merret leje, por njoftohet. Policia të arrestojë Ramën e Veliaj që po vjedhin qytetarët çdo ditë. Jo ta çosh vendin aty që të vendosë Altin Hajri kush i fiton zgjedhjet”. Sipas tij SPAK përdoret për të goditur opozitën e denoncon krimet.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

16:45 - Policia "blindon" rrethrrotullimet e Bradasheshit, Levanit e Shkozetit, nis grumbullimi i opozitarëve

Mbështetësit e opozitës që i janë përgjigjur thirrjes për mosbindje civile përmes bllokimit të akseve rrugore, kanë nisur të grumbullohen në 6 nyjet nevralgjike, në të cilat do të paralizojnë qarkullimin nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të mbrëmjes.

Në rrethrrotullimin e Levanit shihet prezencë e lartë e forcave të policisë, ku nga imazhet e siguruara nga A2 CNN bie në sy fakti se nuk mungojnë as efektivë të FNSH-së të pajisur me skafandra.

Qytetarët janë mbledhur edhe në mbikalimin e Shkozetit dhe rrethrrotullimin e Bradasheshit. Në Elbasan duket se qytetarëve do t’i prijnë deputetë Edmond Spaho, Tomor Alizoti dhe Ivi Kaso.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

16:31 - Dashnor Sula dhe Bledion Nallbati prijnë qytetarët, çfarë po ndodh te rrethrrotullimi i Rrogozhinës?

Teksa na ndajnë edhe 30 minuta nga nisja e protestës, gazetari i A2 CNN Ervin Koçi, i cili ndodhet në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, raportoi në “Ditar” se do të jenë tre deputetë të PD që do të organizojnë e drejtojnë turmën për të kryer bllokimin e kësaj nyje nevralgjike të qarkullimit rrugor në vend.

“Qarkullimi rrugor në aksin Rrogozhinë-Lushnje vazhdon normalisht nuk ka ende bllokim të aksit pasi edhe protesta do të nisë nga ora 17:00. Duhet të theksohet se ky rrethrrotullim është një ndër nyjet kryesore të qarkullimit rrugor pasi ligj jugun me qendrën e vendit dhe veriun. Janë tre deputetë të PD që do të udhëheqin qytetarët që do bllokojnë rrugën, Dashnor Sula, Bledion Nallbati dhe Ilda Dhori së bashku me përfaqësues të PD në degët lokale”, raportoi Koçi.

Sakaq, forcat e policisë kanë marrë të gjitha masat për të garantuar ecurinë e tubimit, apo parandaluar çdo lloj përplasje mes protestuesve dhe drejtuesve të mjeteve, të cilët mund të reagojnë kundër kësaj forme të mosbindjes civile.

“Gjatë mbërritjes në stacionimin ku ndodhemi aktualisht ne vërejtëm tre furgona policie, të cilët duket se kanë marrë masat për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit, por edhe për të shmangur përplasje të mundshme mes përfaqësuesve të opozitës dhe drejtuesve të automjeteve, pasi mund të ketë edhe gjaknxehtësi në momentin që bllokohet rruga”, raportoi më tej gazetari i A2 CNN, Ervin Koçi.

Mbyllet mosbindja civile, PD bllokoi 6 akse rrugore, protestuesit u

15:56 - Autobote me ujë dhe furgona të shumtë, policia përgatitet për bllokimin nga PD te Kthesa e Kamzës

Partia Demokratike ka thirrur sot në orën 17:00 një protestë kombëtare në vijim të aksionit opozitar të mosbindjes civile. Ndryshe nga protesta e 7 tetorit këtë herë opozita do të bllokojë akset kryesore të vendit.

Opozita ka paralajmëruar bllokimin e mbikalimit te Kthesa e Kamzës, Segmenti “Casa Italia - Sheshi Shqiponja”, Rrethrrotullimi Milot, Rrethrrotullimi Shkozet, Rrethrrotullimi Rrogozhinë dhe  Rrethrrotullimi Levan.

Gazetari Anesti Bajramemaj raportoi nw Ditarin me Bruna Çifligun se te Kthesa e Kamzës protesta do të drejtohet nga deputetët demokratë të degës së Tiranës dhe të qarkut Dibër.

Nga kthesa e Kamzës protestuesit do të vijojnë te sheshi Shqiponja për të bllokuar qarkullimin e automjeteve, raportoi gazetarja Arestina Skënderi.

Nga rrethrrotullimi i Rrogozhinës, gazetari Ervin Koçi raportoi se në këtë aks do të jenë tre deputetët e PD që do të udhëheqin turmën; Dashnor Sula, Bledion Nallbati dhe Ilda Dhori, sie dhe përfaqësues të degës lokale.

Opozitarët kanë kërkuar leje nga policia e shtetit për protestën që parashikon bllokimin e akseve rrugore në 6 pika të rëndësishme të vendit.

Paralajmërimi i policisë ka qenë i ashpër për organizatorët e protestës pasi bllokimi akseve rrugore është vepër penale parashikuar nga Neni 293 i Kodit Penal dhe sipas autoriteteve cilido që do të bllokojë rrugët do të përballet me pasojat që parashikon ligji. Gjithashtu Policia tha se ka marrë të gjitha masat për protestën e sotme të opozitës. Në pamjet që kanë mbërritur në redaksinë e A2 CNN shihen përgatitjet e policisë te Kthesa e Kamzës në kryeqytet.

Një ditë më parë deputeti Luan Baçi tha në studion e Debatit në A2 CNN se nuk e tremb thirrja e kryepolicit Ilir Proda dhe është shprehur se këtë formë presioni e ka ushtruar përherë qeveria Rama kur opozita ka njoftuar zhvillimin e tubimeve.

Ndërkaq Sali Berisha në daljen e tij të mbrëmjes, u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen në këmbë për të marrë në duar drejtimin e vendit.

Ndërsa kreu demokrat Gazment Bardhi tha një ditë më parë se deputetët e përjashtuar nga seanca shkuan në degët e PD-së për t’u marrë me organizimin e protestës së sotme.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos