Klevis Balliu, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, tregoi debatin që pati me kreun e SPAK, Altin Dumani, ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve.
Deputeti demokrat përmendi edhe telefonatën që i kishte bërë zonja Albana Vokshi, e cila denoncoi kërcënimet që kishte marrë ajo dhe vajza e saj.
“Kur e pyeta që zonja Vokshi ju ka marrë në telefon, ju ka thënë që po kërcënohem unë dhe vajza ime, s'ka pasur ndonjë reagim. Pse nuk morët masa? Pse nuk erdhi as policia, as task forca? E vetmja përgjigje që patën është se nuk ishte kompetencë e jona. Tani, si nuk është kompetenca juaj? Ju për sa kohë keni krijuar task forcën... Çfarë të presim ne, derisa ta rrëmbejnë ata gocën dhe pastaj të gjejmë kompetencat? Nëqoftëse ty të ka rënë telefoni dhe bëhet fjalë për krim të organizuar, e ke kompetencë”, deklaroi Balliu.
“Deputetët apo kandidatët apo partitë politike nuk janë institucione hetimore. Ne nuk hetojmë. Edhe kur e bëjmë një denoncim mund ta bëjmë publik apo çfarëdo. Task forca për të cilën ne e paguajmë me rrogat më të larta në Shqipëri, ajo është task forca që ka për detyrë t'i gjejë këto hetime. Ne si kandidatë kemi për detyrë të shpalosim programin tonë dhe jo të bëjmë hetime atje. Hetimet duhet t'i bënte Dumani. Pra, nuk mund të thuash që jo po meqë s'më kanë ardhur mua denoncime, nuk e bëj dot unë këtë çështje. Nëqoftëse s'e bën dot, ik. Ndërkohë, ti e ke detyrë për ta ngritur hetimet, për të filluar hetimet. Institucioni duhet të nisë hetimet vetë se për atë punë është nuk do e bëjë hetimin kandidatët për deputetë”, shtoi Balliu.
Sipas tij, SPAK-u ka edhe mbi 250 masa arresti të paekzekutuara.
“Unë e pyeta në lidhje me fletarrestet. Janë rreth 251 masat e arrestit të paekzekutuara dhe e pyeta zotin Dumani që kush po ju dekonspiron? Pse nuk janë ekzekutuar këto fletarreste? Dhe për t'u qartësuar se ku ishte dhe keqkuptimi aty, këto janë fletarreste që nga momenti i krijimit të SPAK-ut, që kur ka filluar punën SPAK-u. Pra, në këto pesë vite 251 janë të paekzekutuara dhe zoti Dumani tha se kjo nuk është detyra jonë të ekzekutojmë. Kjo është detyra e Policisë së Shtetit”, tha Balliu.
(A2 Televizion)