"SPAK të veprojë për Irena Gjokën", propozimi i ish-prokurorit: Si duhet të ndahet kjo punë njëherë e mirë

Nga A2 CNN
14 Tetor 2025, 21:00 | Politikë

Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se SPAK-u duhet ta zgjidhë një herë e mirë rastin e gjyqtares Irena Gjoka.

“Për mua, rasti i Irena Gjokës është një rast i turpshëm. Tani, diskutohet një vendim penal që është dënuar në Janinë. SPAK duhet ta zgjidhë këtë çështje. Është dënuar apo nuk është dënuar? Vjen me vendim avokati dhe thotë “ja ku e ke”. Në Janinë njerëzit po shkojnë për kafe. Kjo çështje duhet ndarë. Sepse kur ne hetojmë një vendim nëse është apo jo me vite, nuk ka kuptim. Nuk është një çështje komplekse. Kjo çështje zgjidhet. Në rast se Irena Gjoka është e dënuar, ka gënjyer me formularin, ka dënim, domethënë i bie që të ndiqet penalisht, ajo e humb statusin e magjistratit dhe i bie që ka gënjyer kur ka filluar punë. Në rast se ke gënjyer dhe dënohesh, vendimet janë të pavlefshme, sepse neni 128, paragrafi i parë i kodit të procedurës penale thotë se vendimet janë absolutisht të pavlefshme kur kanë dalë nga një gjykatë jo e krijuar me ligj, sepse duhet të respektohet ligji. Tani, kjo çështje duhet ndarë, pa e paragjykuar. Unë nuk e paragjykoj. Pra, e ka paraqitur avokati Gjokutaj dhe thotë është ky vendim. Por, edhe të hetosh një vendim tre vjet...”, tha Karanxha.

“Mua më shqetëson koha. Të ndahet ky muhabet”

Klevis Balliu theksoi: “Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer një përgjigje kërkesës së Partisë Demokratike në lidhje me dokumentin, nëse ky dokument i cili është publikuar është autentik apo jo. Dhe Prokuroria e Përgjithshme ka kthyer përgjigje duke thënë që ky është një dokument autentik. Pra, kjo zonjë ka qenë e dënuar dhe është marrë ky dokument në rrugë ligjore dhe prokuroria nuk ka asnjë dyshim që kjo zonjë ka qenë e dënua”.

“Duhet të ishte edhe konflikt interesi për Irena Gjokën. Ajo është po e njëjta gjyqtare qoftë në rastin e Sali Berishës, qoftë në rastin e Ilir Metës e qoftë në rastin e Fatmir Mediut. Pra, në këtë kontekst është një rastësi e çuditshme që gjyqtarja e cila ka një dosje në hetim që pritet të dalë dhe që i shtyhet pafundësisht, i bie gjithmonë të hetojë opozitën. Dhe këtu janë pikëpyetjet që ngre opozita, se kjo vazhdon të ushtrojë detyrën. Po si e ushtron? Ajo është me dosje. Pra, ajo është e shantazhueshme në rastin më të mirë”, shtoi Balliu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos