Raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara vlerësojnë se Shqipëria kryeson për normat në rënie të lindjes dhe plakjen e popullsisë, por kryeministri Edi Rama nuk e sheh këtë si një problem shqetësues.
Shefi i qeverisë tha në “Off the Record”, me Andrea Dangllin në A2 CNN se “demografia është shqetësim për të gjithë Europën”, jo vetëm për Shqipërinë, por rënia e lindjeve sipas tij “është karakteristikë e vendeve që rriten ekonomikisht, gjithmonë”.
Për më tepër kryeministri ndau bindjen se shqiptarët do të kthehen nga mërgimi sapo Partia Socialiste sipas tij të bëjë të mundur anëtarësimin e vendit në BE, në vitin 2030.
“E kërcënojnë nëse flasim për një afat shumë të gjatë, por ndërkohë kam shumë besim që shenjat e kthimit të shqiptarëve, do të vijnë duke u forcuar dhe në momentin kur do të arrijmë të anëtarësojmë Shqipërinë në BE dhe të rrisim pagat aty ku i kemi projektuar në Shqipërinë 2023, shqiptarët do të kthehen gjithnjë e më shumë këtu”, deklaroi Rama në “Off the Record”, me Andrea Dangllin në A2 CNN. (A2 Televizion)