Programi i ri i strehimit, Rama: Prioritet çiftet e reja e emigrantët, Tirana përfundon rindërtimin

Nga A2 CNN
10 Shtator 2026, 15:38 | Politikë

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot programin e ri të strehimit, me prioritet çiftet e reja dhe emigrantët, nga kredia me interes zero deri te subvencionimi i gjysmës së qirasë.

“Ne kemi folur për 50 mijë familje. Deri në vitin 2030, ato do të kenë mundësinë të kenë një çelës. Ne do të pajisim 4 mijë çifte të reja me çelës. 2 mijë kredi me interes zero për apartamente nën 60 mijë euro. 2 mijë kredi të tjera do të jenë me interes vetëm 3% për apartamente që janë mbi 60 mijë euro. 3 mijë çelësa të tjerë me qira të subvencionuar në masën 50%, me prioritet çiftet e reja dhe emigrantët që kthehen. Qiratë do të jenë brenda një tavani prej 400 eurosh”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

Për Bashkinë e Tiranës premtoi përfundimin e procesit të rindërtimit, ndërsa foli edhe për mbajtjen në paraburgim të Erion Veliajt.

“Me Bashkinë e Tiranës do të finalizojmë shumë shpejt planin për t’i dhënë fund historisë së pafundme dhe të pajustifikueshme të rindërtimit, që kur Bashkisë së Tiranës iu pre koka. Viktimat e para të kësaj kokëprerjeje të padëgjuar në historinë e Bashkimit Europian dhe të Europës janë familjet që presin ende çelësat e shtëpive të tyre.

Ka dy raste, më saktë, nga Gjykata e Strasburgut, në të cilat është shpallur arbitrar mbajtja në paraburgim e një kryetari njësie bashkiake, në Hungari, dhe e një kryetari bashkie, në Turqi. Dhe është rasti i Shqipërisë, që është shumë më i rëndë dhe shumë më i prapambetur se dy rastet e tjera.

Kështu që, heqja e kokës dhe eksperimenti social, ligjor, ekonomik e politik i drejtimit të një kryeqyteti pa kokë ka sjellë shumë viktima. Më e prekura është ajo e familjeve që presin më në fund t’u jepet çelësi, sepse janë viktima të tërmetit. Eksperiment jashtëzakonisht i rëndë dhe totalisht i dështuar”, shtoi Kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos