Incidenti në Bulqizë, Berisha i del në mbrojtje Xhelal Mziut: U provokua nga Klosi

Nga A2 CNN
25 Prill 2025, 13:34 | Politikë

Kryedemokrati Sali Berisha e cilëson incidentin e ndodhur në Dibër pas një takimi elektoral, si një provokim nga ana e Drejtuesit Politik të PS, Blendi Klosi.

Për ngjarjen që policia e ka referuar në SPAK duke akuzuar Xhelal Mziun dhe nipin e tij për dhunë ndaj 33-vjeçarit Kalosh Murra, kreu i PD shprehet se militantët socialistë dhe Klosi kanë provokuar ligjvënësin opozitar.

“Provokacion i ulët i Blendi Klosit, me militantët fanatik socialistë ndaj udhëheqësit politik të qarkut të Dibrës. Është e tëra kurth dhe provokacion mbasi e shohin se nuk po ngjisin kërkund. Shohin situatën dramatike dhe zgjodhën të provokojnë zotin Mziu. Kjo është e vërteta. Mësojeni mirë. Ai ishte një kurth, prej provokatorësh të ulët, për të cilën ta dijë kryebixhozxhiu, një nga, se shumica e tyre janë bixhozgjinj. E di çka lënë Bledi Klosi në bixhoz apo jo. Pyet, shko pyet pak përreth, të të thonë, të mos flas unë më mirë”, tha Berisha në daljen e së premtes për mediat.

Sakaq, Mziu dhe nipi i tij akuzohen për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje" pasi dyshohet se kanë goditur Murrën, i cili është punonjës i Njësisë Administrative Ostren.

Edhe deputeti demokrat në reagimin për ngjarjen, e ka cilësuar atë një inskenim të organizuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste dhe kërkoi nga SPAK që të marr në dorëzim pamjet filmike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos