“Është puç”, debat në studio, Rexhaj-Kokës: Ku është parë që një prokuror të pezullojë kryeministrin?

Nga A2 CNN
3 Mars 2026, 22:52 | Politikë

Analisti Albatros Rexhaj, i ftuar në studion e emisionit “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, u përfshi në një debat të drejtpërdrejtë me gazetarin Bledian Koka mbi përplasjet e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve të drejtësisë.

Diskutimi u përqendrua te kufijtë kushtetues dhe proceduralë të prokurorisë, si edhe te mundësia teorike e pezullimit të një kryeministri nga detyra në kuadër të një hetimi penal.

Rexhaj mbajti një qëndrim të prerë, duke e cilësuar një skenar të tillë si të papranueshëm dhe jashtë standardeve institucionale.

“Ku mund të ketë të drejtë një prokuror të pezullojë kryeministrin? Është puç, është grusht shteti,” u shpreh ai gjatë debatit.

Sipas analistit, ndonëse ngritja e një aktakuze është një procedurë e parashikuar nga ligji dhe mund të zbatohet ndaj çdo funksionari të lartë, përfshirë kryeministrin apo presidentin, pezullimi nga detyra përbën një akt procedural që, në vlerësimin e tij, nuk mund të vendoset nga një prokuror apo nga një kombinim prokuror–gjyqtar.

“Ngritja e një aktakuze që i qëndron të gjitha filtrave të drejtësisë mund t’ia bësh kryeministrit, presidentit, kujt të duash. Por pezullimi është një akt procedural. Nuk mund të bëhen bashkë një prokuror dhe një gjyqtar e të pezullojnë kryeministrin,” theksoi Rexhaj në Off The Record me Andrea Dangllin.

Debati në studio u zhvillua në një klimë të tensionuar, duke reflektuar polarizimin më të gjerë politik mbi raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë së re, në një moment kur çështjet që lidhen me kompetencat e institucioneve janë kthyer në thelb të diskutimit publik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos