
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha me anë të një postimi ka përkujtuar tragjedinë e 55-vjetorit të fillimit të përndjekjes sistematike ndaj çdo feje në Shqipëri, e zyrtarizuar pas fjalimit të diktatorit Enver Hoxha pikërisht më 6 shkurt 1967.
“Sot 55 vite më parë, diktatura që u kishte shpallur luftë të gjitha fuqive të globit, nisi luftën edhe kundër Zotit. Kishat, xhamitë dhe teqetë u hodhën në erë, klerikët u vranë, u torturuan dhe u burgosën, besimtarët u përndoqën. Në këtë përvjetor ne duhet të nderojmë sakrificën bujare të klerikëve dhe besimtarëve që e mbajtën ndezur dritën e besimit nën terrorin e regjimit komunist. Dekadat e ankthit dhe shkretëtirës shpirtërore e morale nuk duhen harruar kurrë” , shkruan Basha në postimin e tij.
Sipas kryedemokratit, “30 vitet e tranzicionit nuk e kanë bërë drejtësinë për atë terror të pashembullt. Modelet e asaj tradite të keqe komuniste vijojnë të lëndojnë lirinë dhe virtytin e besimit”.
Fjalimi i Hoxhës u pasua nga një letër e Komitetit qendror të Partisë së Punës që synonte të udhëzonte sulmin ndaj fesë në të gjithë vendin, në një dekadë që do të kulmonte në 1976 me shpalljen e Shqipërisë me kushtetutë në vendin e parë ateist në botë.
Gjatë asaj periudhe u shkatërruan sipas studiuesve rreth 740 xhami, 600 kisha ortodokse, 158 kisha e 530 teqe në të gjithë territorin e Shqipërisë, dhe u mbyllën më shumë se 2 mijë institucione fetare. (A2 Televizion)