Superkupa e Europës, PSG dhe Aston Villa për trofeun e parë europian

Nga Dea Kozma
12 Gusht 2026, 15:42 | Futboll

Superkupa e Europës, PSG dhe Aston Villa për trofeun e parë

Sezoni i ri europian nis me një finale spektakolare. PSG dhe Aston Villa përballen sonte në Salzburg për Superkupën e Europës, në një duel që vendos përballë kampionët e Champions League me fituesit e Europa League.

Parisi vjen si favorit, mirëpo Luis Enrique e ka ulur pritshmërinë për një ndeshje në nivelin maksimal. Arsyeja? Vetëm pak javë pas përfundimit të Botërorit, 15 yje të PSG-së janë rikthyer vonë në përgatitje dhe për këtë janë në dyshim nëse do të aktivizohen apo jo sot.  

Në krahun tjetër, Aston Villa kërkon të surprizojë dhe të nisë sezonin me një trofe të madh. Mungesa e disa prej titullarëve kryesorë është një nga problemet kyresore për trajnerin Emery. Nga Martinez, Konsa dhe Watkins nuk kanë udhëtuar drejt Salzburgut pas angazhimeve të tyre me kombëtaret gjatë verës.

Dy skuadrat njihen mirë. Përballja e fundit është ajo në çerekfinalet e Champions League në sezonin 2024-25, ku PSG fitoi 3-1 në Parc de Princes, ndërsa anglezët morën hak në ndeshjen e kthimit duke fituar  3-2 në shtëpi, por francezët kaluan më tej me rezultatin e përgjithshëm 5-4.

“Nisim sezonin e ri dhe do të përpiqemi ta bëjmë sa më mirë. Ne i vëmë vetes gjithnjë objektiva ambiciozë, tani skenari është ndryshe sepse të gjithë mendojnë se ne mund ta fitojmë akoma Champions League. Ne duhet të tregojmë nivelin tonë për t’u kthyer të fitojmë”, tha Luis Enrique, trajneri i PSG, shkruan A2.

Ndërsa Unai Emery, trajner i Aston Villa, theksoi: “Ne do të përpiqemi t’ua përcjellim këtë mesazh lojtarëve në dhomën e zhveshjes, duke u përgatitur për ndeshjen dhe duke e ditur se ata konsiderohen favoritë. Sepse sigurisht që janë”.

Tashmë është një tjetër histori, një tjetër finale dhe një tjetër trofe. PSG kërkon të konfirmojë dominimin europian, ndërsa Aston Villa synon të trondisë kampionët dhe të vendosë dhe emrin e saj në Superkupën e Europës.

Dueli nis në orën 21:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos