
Shumë fshatra të thella malore të Kukësit mbetën pa energji elektrike gjatë natës, por edhe gjatë ditës së enjte.
Shkak është bërë stuhia me erëra të forta e reshje bore, duke nxjerrë jashtë pune disa linja të transmetimit të energjisë, por edhe shtylla elektrike. Probleme ka patur edhe me mbarëvajtjen e procesit mësimor, ku në disa shkolla, kryesisht në njësitë e Bushtricës, Shishtavecit e Zapodit, nuk është zhvilluar procesi mësimor, pasi bora e grumbulluar në rrugë, për shkak të erës së fortë, nuk ka mundësuar lëvizjen e mësuesve drejt këtyre shkollave.
Vështirësi në lëvizje, për shkak të borës dhe stuhive të forta, ka patur edhe për banorët e fshatit Kolesjan. Ata kanë patur vështirësi edhe për të lëvizur në këmbë brenda fshatit.
Në vende të caktuara, bora e grumbulluar nga era ka kaluar trashësinë prej 2 metrash, duke vështirësuar edhe punën e OSHEE për riparimin e linjave të energjisë elektrike të dëmtuara nga stuhitë e erës. (A2 Televizion)