
Edicioni i 55-të i Super Bowl do të vendosë përballë Tampa Bay dhe Kansas City. Por, mbi të gjitha ky do të jetë një duel ndërmjet legjendarit Tom Brady, që në moshën 43-vjeçare siguron finalen e dhjetë në karrierë dhe yllit të ri të futbollit amerikan, Patrick Mahomes, “quarterbacku” që vitin e kaluar ishte vendimtar për kampionët në fuqi.
Tom Brady shkroi historinë, jo vetëm sepse arriti në finalen e NFL prej edicionit të parë me skuadrën e re, por edhe sepse Tampa Bay bëhet ekipi i parë në histori që duelin vendimtar për titullin do ta luajnë në shtëpinë e saj.
Një shpagim i jashtëzakonshëm për Brady-n, që vendosi të largohej pas afro dy dekadash nga New England Patriots. Ai u bë menjëherë protagonist, duke fituar transfertën e tretë me radhë ndaj Green Bay dhe i dhuroi Buçaneers finalen e Super Bowl.
Përballë tij do të jenë kampionët në fuqi të Kansas City, që kaluan Buffalo, në një ndeshje pa shumë histori. I rikuperuar pas dëmtimit, Mahomestregoi se po zbavitej në fushën e lojës, ndërsa Chiefs do të paraqiten si favoritë në finalen e Floridas. Super Bowl më 7 shkurt do të jetë mbi të gjitha sfida e dy organizatorëve të mëdhenj. Tom Brady me gjashtë tituj të fituar dhe rekordin absolut të pasimeve për touchdown. I vetmi që mund ta kalojë legjendën e gjallë është Mahomes, që në moshën 24-vjeçare, aq sa edhe Brady fitoi titullin e parë dhe tashmë synon trofeun e dytë me radhë, për t’u bërë më i riu në histori që e realizon diçka të tillë. (A2 Televizion)