
Brenda dy ditëve Kosova ka siguruar gati 190 mijë doza të vaksinës së Pfizer dhe Biontech, në sajë të kontratës së lidhur me kompaninë. Pas më shumë se 81 mijë dozave të mbërritura të hënën, autoritetet pritën një kontigjent tjetër prej 106 mijë e 470 vaksinash mbrëmjen e së martës.
Ndërsa paralajmëroi të tjera doza gjatë ditëve në vazhdim, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen, pasi siç tha kjo mbetet zgjidhja më e mirë në përballjen me pandeminë.
Kosova ka injektuar deri më tani mbi 170 mijë doza, por synon të përshpejtojë fushatën gjatë muajve në vazhdim me objektivin e vaksinimit të 60 për qind të popullsisë deri në fund të vitit. Në 24 orët e fundit, nuk pati asnjë viktimë nga koronavirusi në Kosovë, ndërsa rastet e reja ishin 6. (A2 Televizion)