Drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi fitoren e Partisë Socialiste edhe në zonën e Freskut, që i përket njësisë 12 në kryeqytet. Në krah të kandidates për deputete, Ermonela Felaj, në këtë zonë, Veliaj theksoi se PS-ja ka thyer një rekord në këtë njësi.
“Te njësia 12, PS ka thyer rekord, duke fituar në zonën e Freskut 55% për PS. Kjo zonë është rritur duke u bërë njësh me kryeqytetin dhe, nga ky rezultat dua të falënderoj me zemër ata që na kanë dhënë besim e mbështetje”.
Ai tha se PS-ja do t’u shërbejë edhe atyre që kanë menduar ndryshe dhe nuk kanë votuar PS-në.
“Sapo kemi mbarur rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, do të vazhdojmë me infrastrukturën, shkollë e gjimnaz, por ajo që doja të theksoja është që ne do t’u shërbejnë edhe atyre që nuk na kanë votuar e mendojnë ndryshe nga ne”.
Më herët, Veliaj njoftoi fitoren edhe në Bërzhitë në krah të kandidatit, Xhemal Qefalia.
“Mikja ime, Jorida Tabaku, deklaron se Partia Demokratike ka fituar, nëse ata kanë fituar, ne kemi fituar, atëherë të vijojmë numërimin”. (A2 Televizion)