
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të fuqishme perëndimore presin nga Serbia që ta njohë Kosovën, por askush nuk garanton madje as integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Kështu u shpreh presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në një debat të organizuar nga Këshilli Atlantik, gjatë të cilit theksoi se nuk pret “marrëdhënie të lehta për Serbinë me administratën e presidentit amerikan Joe Biden”, duke vënë theksin te dallimet rreth çështjes së Kosovës.
“Çështja është se Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe vende të fuqishme nga perëndimi thonë se po presin nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës. Por kur pyesim çfarë ofroni, sepse asnjëra palë nuk mund t’i fitojë të gjitha, nuk ka asgjë. Askush nuk mund të garantojë madje as anëtarësimin në Bashkimin Europian.”
Marrëveshjet e arritura në Bruksel, sipas Vuçiç, duhet të implementohen sa më parë, përfshirë krijimi Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Çfarë kemi nënshkruar në Bruksel 8 vjet më parë duhet të përmbushet nga të dyja palët. Dhe këtu është problemi. Pala tjetër ishte e gatshme të nënshkruajë sepse ishte e sigurt se nuk duhet të zbatojë asgjë.”
Ai akuzoi Prishtinën për shantazh, dhe kërkoi ndryshim të klimës për rritjen e besimit mes vendeve. Duke iu referuar debateve që nxiti dokumenti joformal për ndryshim të mundshëm të kufijve, tha Vuçiç.
“Kurrë nuk keni dëgjuar nga unë apo kryeministrja e Serbisë që ne mbështesim Serbinë e Madhe, por e dëgjoni çdo ditë nga Prishtina dhe Tirana dhe askush nuk reagon.”
Presidenti serb foli edhe për idenë e mini-shengenit Ballkanik, duke e vlerësuar si të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Duke kritikuar qasjen e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës kundër kësaj ideje, ai tha se një pjesë e fajit i takon edhe atij. (A2 Televizion)