
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka drejtuar sot një apel qytetarëve për t’u bashkuar për të larguar Edi Ramën nga pushteti. Në një postim në Twitter të shoqëruar dhe me video, kreu demokrat thekson se në 7 vite kryeministri Rama ka dëshmuar dështimin dhe shkatërrimin dhe askush nuk mund ta besojë më atë. Sipas tij ky është dhe thelbi i çdo revolte qytetare.
“7 vite vetëm llafe bosh, shkatërrim, dhunim i pronës publike, shtëpive, familjeve vendeve të punës. Askush nuk e beson më Ramën. Ky është thelbi i çdo revolte të qytetarëve dhe të rinjve shqiptarë. Demonstratat provojnë se askush nuk i beson më Ramës pas 7 vite dështimesh dhe premtimesh të rreme. 7 vite rrënim ekonomik, rritje e kostos së jetesës, rritje e papunësisë, shkatërrim i sistemit shëndetësor dhe dhunë ndaj rinisë shqiptare.
Koha ka ardhur për ta larguar Edi Ramën dhe për të nisur së bashku një ndryshim që do të vendosë në krye të punëve një qeveri që kujdeset për njerëzit. Boll më! Është koha për ndryshim!” shprehet kryedemokrati. (A2 Televizion)