
Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me raportin e Transparency International, që sipas saj konstaton ato afera korruptive që janë denoncuar nga opozita. Përfaqësuesja demokrate, Jorida Tabaku, thekson se Shqipëria është në listën e zezë të korrupsionit, pasi qeverisja bëhet nga grupe kriminale të strukturuara.
“Sot, qeverisja bëhet nga grupe kriminale të strukturuara, sot ligjet shkruhen e kalohen nga interesa të ngushta klienteliste dhe sot interesat kriminale vendosin për ndarje tenderash e koncesionesh.
Raporti vlerëson se raste si ai i Vangjush Dakos, që ka përfshirë grupe kriminale në blerje votash; ai i Tahirit me përfshirjen me trafikun ndërkombëtar të drogës; rasti i ligjit të lojërave të fatit ku qeveria mbështeti qartësisht grupet kriminale dhe favorizoi klientët e saj, janë shembuj të qartë të kapjes së shtetit”.
Sipas Tabakut, në raport përmendet dhe rasti i rrugës Milot-Balldren të cilën e ka denoncuar dhe opozita.
“Një rast flagrant ku kostot janë 3-fishuar, ku është fituar pa garë, me kosto pothuajse 20 mln euro për km, në një tender që qartësisht mund të ishte zhvilluar dhe fituar një kompani me 1/3 e vlerës”.
Në reagimin e saj, Tabaku shprehet se korrupsioni ka kapur në çdo qelizë qeverisjes, duke vrarë shpresën dhe duke detyruar të rinjtë të largohen nga vendi.
“Korrupsioni ka kapur në çdo qelizë qeverisjen sepse kjo bandë ka bashkëjetuar me korrupsionin, krimin dhe ligjet speciale në favor të oligarkëve. Kjo bandë ka vrarë shpresën, detyron rininë të emigrojë edhe të shfrytëzohet nga grupet kriminale, që sot pengojnë ekonominë e zhvillimit”.
Në fund, Tabaku thekson se më 25 prill do të shkëputen nga ky model kriminal qeverisje dhe opozita kur të vijë në pushtet do të ndryshojë faqen e Shqipërisë. (A2 Televizion)