
Çështja e studentëve dhe strehimi i tyre është rikthyer sërish në fokusin e akuzave të PD drejtuar Bashkisë së Tiranës. Sipas ish deputetes së Partisë Demokratike, Oriola Pampuri një ngjarje e rëndë është shënuar ditët e fundit në një konvikt të rikonstruktuar së fundmi nga Bashkia e Tiranës ku është shembur një tavan duke vënë në rrezik jetën e studentëve. Pampuri shton se në vend që të bëjë punime cilësore, Bashkia ka bërë propagandë.
“Rrëzimi i tavaneve në një prej konvikteve që gjoja u rikonstruktuan pas protestës së studentëve, është treguesi më i qartë i propagandës së rrezikshme të Ramës dhe Veliajt. Në vend që të siguronin punime cilësore, siç studentët e meritojnë, kampionët e vjedhjes në Shqipëri bënë shoë me fasadat e godinave ku jetojnë shumica e studentëve”, denoncoi Pampuri.
Ish deputetja demokrate shton se për rikonstruksionin e 4 godinave, Bashkia e Tiranës ka paguar 200 milionë lekë, dhe tenderin sipas saj, nuk e ka fituar sërish oferta më e ulët. Pampuri përsëriti premtimin se alternativa më e mirë për studentët dhe rininë është Partia Demokratike dhe plani i saj për një arsim të lartë cilësor.
Pas deklaratës së Partisë Demokratike, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Bashkisë së Tiranës e cila deklaron se pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin në shtator janë regjistruar dëme në suvatë e disa godinave, por pa probleme në strukturën mbajtëse. Bashkia vë në dispozicion dhe aktin e ekspertimit nga Inspektorati i Ndërtimit që konfirmon se godinat nuk venë në rrezik jetën e studentëve që do të strehohen aty.
Institucioni i Bashkisë me tej bën dhe një bilanc të punimeve që janë kryer gjatë muajve të fundit në Qytetin Studenti duke shtuar se gjatë qeverisjes së PD investimi i vetëm në këtë zonë ishte lyerja e mureve me gëlqere.
“Gjatë këtij viti, Bashkia e Tiranës ka investuar dhe ndërhyrë në të gjitha godinat e Qytetit Studenti, për herë të parë që nga viti 1989, kur ato u ndërtuan. Investimet përfshijnë rikonstruksionin, suvatimin, meremetimin dhe lyerjen e 600 dhomave dhe fasadave në 7 konvikte (godina nr. 5, 20, 21, 26, 27, 27, 28) që kapin vlerën e 170 milion lekëve. Studentët, por edhe qytetarët e Tiranës, duhet ta dinë se gjatë qeverisjes së PD në vitet 2005-2013, investimi i vetëm i tyre për Qytetin Studenti është lyerja me gëlqere e mureve të godinave dhe asgjë më shumë”, shkruhet në reagimin e Bashkisë. (A2 Televizion)