Partia Demokratike tha se denoncimi që ajo i ka bërë Agim Kajmakut, Kryebashkiakut të Vorës, ku e akuzonin se është Jorgo Toto, një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar në Greqi, është konfirmuar si i vërtetë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, tha në një konferencë për mediat se konfirmimi ka ardhur nga vetë Prokuroria shqiptare.
“Nga informacioni i zyrës Interpol Greqi, rezulton se nga krahasimi daktiloskopik i gjurmëve të gishtave të shtetasit Agim Kajmaku me gjurmët daktiloskopike që ndodhen në bazën e të dhënave kriminale të Greqisë, rezulton se këto gjurmë përputhen me gjurmët e gishtave të shtetasit Jorgo Toto”, tha Bardhi duke cituar Prokurorinë.
Bardhi i kërkoi Kryeministrit Edi Rama që të shkarkojë menjëherë nga detyra Kajmakun, pasi është në shkelje të ligjit.
Bardhi shtoi se vetë Prokuroria ka dalë në përfundimin se Agim Kajmaku duhet të skualifikohet menjëherë nga funksioni publik. “Nga verifikimet e kryera konfirmohet se Agim Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin se ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor në zhvillim. Kjo sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke, ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër, rezulton se Agim Kajmaku ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datën 30 Mars 2004 emër/mbiemër nga “Jorgo Toto” në Agim Kajmaku, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit”, citoi zyrtari i PD Prokurorinë.
Bardhi shtoi se çdo alibi e krijuar nga Edi Rama dhe përfaqësuesi i tij në Bashkinë e Vorës, është rrëzuar. “PD e ka të qartë se Edi Rama nuk ka vullnet për ta luftuar krimin dhe se pushtetin e tij e ka të lidhur me krimin. Mirëpo shkarkimi i menjëhershëm nga detyra i Agim Kajmakut, nuk është me një çështje e vullnetit në dorë të Edi Ramës. Edi Rama ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të shkarkojë menjëherë nga detyra kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili është arrestuar dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar deri në shtator 2019”. (A2 Televizion)