
Kryeministri Edi Rama reagoi pas miratimit të Parlamentit të Holandës të kuadrit negociues me Shqipërinë, që i hap rrugë nisjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes vendit tonë dhe Bashkimit Europian.
“Parlamenti holandez mbështet thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri - BE për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim. Jua kisha thënë, pa u bërë zgjedhjet atje nuk kemi çfarë presim dhe ja, zgjedhjet mbaruan, Shqipëria u zhbllokua”, shkruan Rama në Facebook.
Të mërkurën, ambasada holandeze në Tiranë konfirmoi se Holanda ka rënë dakord për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë. “Sot, shumica e parlamentit ra dakord që të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, pas miratimit të kuadrit negociator. Procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngritura nga partitë apo grupet parlamentare”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
“Qeveria holandeze është e kënaqur që është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë. Qeveria pret me kënaqësi mbajtjen e të parës Konferencë Ndërqeveritare si një nisje zyrtare e negociatave, një trajektore intensive në të cilën reformat në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe fuqizimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike do të mbeten prioritete kyçe”, thotë ambasada. (A2 Televizion)