U kërcënua me jetë, deputeti denoncon shantazhet në polici

Nga A2 CNN
16 Qershor 2021, 13:12 | Politikë

Shantazhe dhe kërcënime me jetë nëpërmjet rrjeteve sociale pas disa daljeve publike, ndaj deputetit të pavaruar Ligoraq Karamelo, i cili i ka denoncuar ato në polici.

Karamelo pretenton se shantazhet cenojnë jo vetëm bashkëjetesën e pakicave kombëtare, por prishin edhe harmoninë që ka Korça si qytet.

“Sapo kam dorëzuar një kallëzim në komisariatin e Korçës për shpifjet, kërcënimet, shantazhet që më kanë bërë pas daljeve publike. Para 1 jave në Korçë, OSBE-ja organizoi një takim për pakicat kombëtare dhe rolin e medias së shkruar, gjithashtu dhe pas një emisioni në një nga televizionet shqiptare ku u diskutuan problematikat e një shkrimi të botuar në një gazetë greke.

Natyrisht që Korça nuk mund të pranojë këtë lloj gjuhe, Korça ka dëshmuar qytetari, mirëkuptim, bashkëjetesë. Këto janë sjellje të papranueshme që cenojnë jo vetëm bashkëjetesën, po prishin harmoninë që Korça ka.

Kërcënimet kanë qenë të ndryshme, shumica janë të panjohura, është detyrë e prokurorisë t’i zbulojë. Jam kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale gjithashtu kërcënime kam pasur edhe në YouTube aty ku kam qenë i ftuar për të diskutuar. Këto janë të ulëta, kërcënimet lidhen me daljet e mia.

Kërcënimet janë me jetë, kërcënohet familja ime, bashkëjetesa e komunitetit që unë përfaqësoj”, thotë Karamelo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos