Voltana Ademi i kërkon Gjykatës të mos regjistrojë Pjerin Ndreun si kryetar të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë

Nga A2 CNN
16 Qershor 2021, 12:53 | Politikë
Voltana Ademi i kërkon Gjykatës të mos regjistrojë Pjerin

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës të mos njohë Pjerin Ndreun si kryetar të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Në një kërkesë drejtuar Gjykatës, Ademi, kërkon që të njihet si i vlefshëm vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Bashkive marrë më 8 qershor 2021 dhe të Vendimit të Komitetit Drejtues të datës 4 maj 2021, ku ajo është zgjedhur dhe konfirmuar si kryetare e shoqatës. Ajo gjithashtu kërkon që të refuzohet regjistrimi i Vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të datës 8.6.2021, të thirrur nga z. Pjerin Ndreu dhe vendimi i Komitetit Drejtues të datës 8.6.2021 dhe çdo akti tjetër që mund të kërkohet të regjistrohet nga z. Ndreu dhe çdo person tjetër si vendime të marra në kundërshtim me ligjin dhe Statutin e kësaj shoqate.

Pas shpalljes së Pjerin Ndreut si kryetarin e ri të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Ademi tha se kjo lëvizje u bë për të tërhequr padinë e bërë nga shoqata për mosnjohjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2019, ku Partia Demokratike dhe Lëvizje Socialiste për Integrim nuk morën pjesë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos