
Më 19 shkurt nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ku rreth 650 mijë qytetarë kanë të drejtë vote për 3 kandidatë në lojë.
Arben Pëllumbi, deputet i PS, anëtar i kryesisë, u shpreh në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN se PS synon të fitojë të 6 bashkitë në zgjedhje.
“Këto janë zgjedhje të pjesshme dhe për 13 muaj. Në diskutimet e kryesisë, ne vendosëm që fushata elektorale të ishte një fushatë e qetë, derë me derë, pa bori, pa flamuj, duke biseduar me qytetarët për problematikat që ata kanë. Fakti që ne kemi tre burra dhe tre gra është e ditur tashmë që kjo është një filozofi e mbështetur fortë nga ne. Ne synojmë që ne t’i fitojmë të 6 bashkitë e vendit, pasi besojmë në tre elementë të rëndësishëm. Së pari, ne besojmë se kemi organizimin e duhur të strukturave në të gjitha këto bashki. PS, sapo mbyll një betejë elektorale, fillon për betejën e radhës. Strukturat tona nuk kanë nevojë për ngrohje. Së dyti, është programi. Ne do të bashkëbisedojmë me njerëzit për hallet e tyre. Nga ana tjetër, besojmë se kemi zgjedhur kandidatura të denja”, tha Pëllumbi. (A2 Televizion)